Konfindustria kërkesë në Kuvend: Paketa Fiskale 2027 duhet të përmirësohet! Rrezikohen 200 mln euro kosto shtesë për qytetarët dhe bizneset

Konfindustria ka paraqitur në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në Kuvend një sërë propozimesh për përmirësimin e projekt-Paketës Fiskale 2027, duke kërkuar që qeveria të marrë masa konkrete për të garantuar interesin publik. Sipas administratorit të përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ndryshimet e parashikuara për karburantet dhe automjetet rrezikojnë të rrisin kostot e transportit për qytetarët dhe bizneset me të paktën 200 milionë euro.

Në propozimet e paraqitura, Konfindustria kërkon që heqja e Taksës së Qarkullimit prej 27 lekësh për litër, plus TVSH, të reflektohet plotësisht në çmimin përfundimtar të karburanteve për konsumatorët. Sipas saj, duhet të garantohet që kjo ulje të mos përfundojë në fitime shtesë për tregtarët apo në të ardhura të tjera për buxhetin e shtetit.

Një tjetër kërkesë lidhet me çmimet e karburanteve, të cilat, sipas Konfindustrisë, nuk duhet të jenë më të larta se mesatarja e vendeve fqinje, si Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi. Po ashtu, organizata propozon që taksa vjetore për automjetet të mos jetë më e lartë se mesatarja e këtyre vendeve.

Konfindustria ngre shqetësimin se mungesa e konkurrencës në tregun e karburanteve, të cilin e cilëson si kartel dhe oligopol, mund të bëjë që heqja e taksës prej 27 lekësh për litër të mos reflektohet në çmimin që paguajnë konsumatorët. Në këtë rast, sipas saj, përfitimi do të shkonte te tregtarët dhe buxheti i shtetit, ndërsa qytetarët nuk do të përfitonin nga ulja e taksës.

Sipas Konfindustrisë, Taksa e Qarkullimit siguron aktualisht rreth 230-240 milionë euro në vit për buxhetin e shtetit. Ajo parashikon se kjo taksë do të zëvendësohet plotësisht përmes rritjes së taksave vjetore të automjeteve, duke bërë që barra fiskale të rëndojë sërish mbi qytetarët dhe bizneset, në kushtet kur nuk ka garanci ligjore për uljen e çmimit të karburanteve.

Në reagimin e saj, Konfindustria paralajmëron se mosmarrja parasysh e këtyre propozimeve mund të sjellë pasoja për konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, industrinë, prodhimin vendas dhe tërheqjen e investimeve. Sipas saj, rritja e mëtejshme e kostove të transportit mund të nxisë falimentime dhe të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve.

Konfindustria vlerëson gjithashtu se pasojat e këtyre ndryshimeve mund të shtrihen përtej treguesve ekonomikë, duke rrezikuar, sipas saj, edhe qëndrueshmërinë shoqërore dhe rendin kushtetues në vitin 2027 dhe në vijim.

Kërkesa e plotë:

Konfindustria paraqiti zyrtarisht në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në Kuvendin e Shqipërisë propozimin, që projekt Paketa Fiskale 2027 duhet të përmirësohet domosdoshmërisht dhe qeveria duhet të garantojë me masa institucionale rregullatore interesin publik.

Lidhur me ndryshimet fiskale për karburantet dhe mjetet motorrike propozimet e Konfindustrisë janë si më poshtë:

  • Heqja e ‘Taksës së Qarkullimit” prej 27 lekë/litër plus TVSH të përcillet e plotë në çmimin fundor për konsumatorët dhe të mos përfundojë si “superfitim” për tregëtarët dhe të ardhura “shtesë” për buxhetin e shtetit.
  • Çmimet fundore të karburanteve në Shqipëri të garantohet të mos jenë më të larta se mesatarja e shteteve fqinje të Rajonit ( Maqedoni e Veriut, Kosovë, Mal i Zi)
  • Vlera e plotë e “Taksës vjetore për automjetet”të mos jetë më e lartë se mesatarja e shteve fqinjë të Rajonit( Maqedoni e Veriut, Mal i Zi dhe Kosovë”

Konfindustria shprehu në Komision shqetësimin e bazuar për rrezikun e rritjes së fortë të mëtejshme të kostove të përgjithshme të transportit për qytetarët dhe bizneset deri në të paktën 200 milion euro nga zbatimi i projektit të Paketës Fiskale 2027 të paraqitur nga qeveria.

Konfindustria vlerëson, se mungesa e konkurencës në tregun kartel dhe oligopol të karburanteve rrezikon seriozisht, që heqja e “taksës së qarkullimit” prej 27 lekë/litër të mos përcillet e plotë në çmimin e blerjes për konsumatorët fundorë, por të përfundojë drejtëpërdrejtë në “fitim shtesë”për tregëtarët dhe të ardhura shtesë për buxhetin e shtetit dhe goditje e rëndë për interesin publik.

Taksa e qarkullimit në regjimin e sotëm fiskal sjell afër 230-240 milion euro/vit për buxhetin e shtetit dhe parashikohet të zëvendësohet e plotë dhe të paguhet e 2-fishtë nga rritja e taksave vjetor të mjeteve motorrike për qytetarët dhe bizneset në kushtet e mosgarantimit  ligjor të uljes së çmimit fundor të karburanteve

Konfindustria vlerëson, se në rast të mos marrjes parasysh të propozimit të mësipërm pasojat e rritjes së metejshme të kostove të përgjithshme të transportit do të jenë mjaft të rënda për uljen e konkurueshmërisë së ekonomisë shqiptare, industritë, prodhimin vendor, tërheqjen e investimeve, falimentime dhe goditje e ashpër për mirëqënien e qytetarëve shqiptarë.

Sa më sipër mund të rrezikojë drejtëpërdrejtë në vitin 2027 e në vazhdim përveç treguesve kryesorë ekonomikë edhe qëndrueshmërinë shoqërore dhe rendin kushtetues.

Gjergj Buxhuku

Administrator i Përgjithshëm



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×