Bylisi arriti të mposhtë Partizanin në një test që nga ballshiotët ishte vlerësuar shumë edhe për faktin se po luanin ndeshjen e parë testuese me një ekip elitar. Pas ndeshjes, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Jeton Beqiri u shpreh:
“Më pëlqeu ana fizike e ekipit tim. Grupi sa vjen e po kompaktësohet. Po, është miqësore dhe ne si trajnerë na pëlqen të shohim më shumë se rezultati. Unë jam i bindur se Bylisi ka ende për të treguar. E rëndësishme është që nuk pati lëndime, sepse realisht ishte ndeshje e dyluftuar dhe e mirëvlerësuar nga të dyja ekipet. Bylisi ka ende shumë punë për të bërë, sepse jemi para një sezoni të gjatë.
Ishte thjesht një ndeshje që na vlen për momentin, kaq! Ka shumë rregullime për të bërë, sepse kemi djem të rinj, që premtojnë dhe po punojmë shumë mirë. Këto ditë që na kanë mbetur, do bëjmë më të mirën që të rregullojmë problemet “, deklaroi Beqiri.
E. SALIU – Arena e Lajmit
