I vetmi gabim i tij ditën e diel ishte intervista pas ndeshjes, pavarësisht se trajneri Pep Guardiola tha se atij i pëlqeu shumë kur dëgjoi numrin e tij të ri 9 të prishte syrin e keq gjatë transmetimit direkt për “Sky Sports”. Duke diskutuar krosimin e Ilkai Gyndoanit, të cilin ai nuk e shfrytëzoi dot për të debutuar në Premier Ligë me një tripletë, sulmuesi norvegjez tha: “Duhet të kisha qenë atje, por e dh… dhe tani iku”.
Ndërsa gazetari i tërhiqte vëmendjen për fjalorin e tij, 22-vjeçari e katranosi më keq: “Oh, më falni, e dh… oh, më falni”. Pak çaste më vonë, trajneri Guardiola tha se ai i kishte kujtuar Lionel Mesin, ndërsa tha se një golashënues nuk është kurrë i kënaqur kur ai mund të kishte shënuar më shumë për skuadrën e tij.
“Më pëlqeu ajo që tha. Unë kam qenë me fat si trajner që kam pasur në skuadër Mesin dhe nëse ai shënonte dy gola, donte tre. Nëse shënonte tre, atëherë donte katër. Nëse shënonte katër, donte pesë. Golashënuesit e vërtetë nuk kënaqen kurrë. Ata janë gjithnjë të uritur”, tha trajneri i “Qytetarëve”.
Kur Haland fitoi penalltinë në transfertën me Uest Hemin, ai e rrëmbeu menjëherë topin për ta ekzekutuar vetë. Ky është një tjetër gjest që i bëri përshtypje trajnerit të tij të ri: “Mendoj se nëse dikush tjetër do të kishte shkuar për t’i marrë topin, ai do ta kishte goditur me grusht në fytyrë. Jam shumë i sigurt për këtë dhe kjo është një shenjë e mirë”. 21 pasime, 91% saktësi, 5 goditje, 2 në kuadrat, 2 gola, 2 shanse të humbura, 1 penallti e fituar, ishin statistikat e debutimit të Halandit në Premier Ligë, i cili në tribunë kishte babanë e tij që e duartrokiste, ish-lojtarin e Sitit, Alf-Inge.
“Ishte speciale që babai erdhi për të më parë dhe ishte një moment krenarie për mua dhe familjen. Unë rrethohem nga lojtarë të shkëlqyer. Dola në fushë dhe u përpoqa të shijoj lojën e bukur. Ishte ëndrra ime që fëmijë për ta përjetuar këtë çdo javë. Mora disa topa të bukur dhe do të vijnë akoma më shumë gola kur ta praktikojmë këtë në stërvitje”, tha Haland.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – Arena e Lajmit
