EKSKLUZIVE/ Pedro Augusto nuk po kthehet, Egnatia i vendos “ultimatum” sulmuesit brazilian

“Nuk mund ta presim gjatë Pedron. Kampionati tani është te dera dhe na e dikton momenti të ndërhyjmë sërish në repartin ofensiv”. Kështu është shprehur për “Panorama Sport” trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, sa i përket sulmuesit brazilian, Pedro Augusto Kabral, i cili që prej largimit në Brazil gjatë muajit qershor, nuk është rikthyer pranë skuadrës, edhe pse pritej që të ishte më 23 korrik në Shqipëri.

PEDRO AUGUSTO

Gazeta mëson nga burime në klub se lojtarit i është vendosur ultimatum për t’iu bashkuar sa më shpejt me skuadrën, pasi në të kundërt ndaj tij do të ketë masa penalizuese, në bazë të asaj që parashikon kontrata.

Sulmuesi është edhe për një sezon i lidhur me Egnatian, kështu që nëse kërkon të shkojë në një tjetër skuadër, atëherë duhet të paguajë një dëmshpërblim ndaj rrogozhinasve, përndryshe nuk i jepet lejekalimi.

SITUATA Dy miqësoret e fundit të Egnatias të mbyllura me rrjeta të paprekuara 0-0 ndaj Vardarit të Shkupit në Ohër dhe në Pogradec ndaj Dinamos po më të njëjtat shifra, duket se krijojnë idenë se te skuadra rrogozhinase, mungon “njeriu gol”. Interesimit të “Panorama Sport” mbi këtë çështje i është përgjigjur trajneri Tetova.

“Na duhet patjetër një sulmues, sepse momentalisht kemi vetëm dy lojtarë të mirëfilltë në këtë repart: Ilir Camaj dhe Flavio Meçja. Për Camajn them se po e rigjen formën e tij ndeshje pas ndeshje, ndërsa Meçja është i ri në moshë, por me të dhëna shumë premtuese. Na duhet një alternativë dhe në fakt jemi vënë në kërkim të një sulmuesi. Ai është sërish brazilian, por nuk mund t’i bëj të ditura të dhënat pa marrë një përgjigje përfundimtare se çfarë do të vendoset nga palët. Na është dëmtuar prej disa ditësh sulmuesi anësor, Xhekson dhe duke mos ditur ende se sa kohë kërkon rikuperimi i tij, duam që të mos kemi halle në sulm, sepse dhe kalendari i ndeshjeve të startit për ne është i gjithi një ‘ferr’, e nuk duam të kemi mangësi në manovrën tonë të sulmit. Për sa i takon qendërsulmuesit Pedro, ai ka një kontratë me klubin tonë, por gjithë fazën përgatitore ai ka munguar dhe nuk ka qenë pjesë e skuadrës. Se çfarë do të ndodhë në lidhje me këtë çështje, kjo nuk është se më përket mua”, ka thënë trajneri i rrogozhinasve.

ALTERNATIVAT Tek Egnatia ka një kontingjent prej 25 futbollistësh aktualisht dhe në mesin e tyre ndodhen edhe disa lojtarë që mund ta bëjnë mirë rolin e qendërsulmuesit.

I pari është Dzon Delarxh. Në fakt, koncepti i tij i lojës është luajtja afër vijës sulmuese, por i pozicionuar më prapa, te vija e dytë. Ai është shpërthyes dhe ka një fizik brilant. Kur është në formë nuk ka kundërshtarë ta ndalë. Ka shënuar dy gola në miqësoren e parë të Egnatias ndaj Strugës e po në këtë ndeshje ka humbur dhe një 11-metërsh.

Një tjetër alternativë është fieraku i ardhur nga Dinamo, Redon Mihana. Deri në startin e kampionatit të ri, duket se rrogozhinasit do ta kenë prioritet madhor fiksimin e lojtarëve të sulmit.

FATMIR EFICA – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×