Orges Shehi po mendon për zgjidhjet që do t’i japë repartit të sulmit. Me Taulant Seferin dhe qendërsulmuesin që nuk duket, Shehi po sheh alarm në sulm. Tirana ka luajtur ndaj Erzenit në Shijak, por konkluzioni i stafit është që bardheblutë janë në alarm. Më saktë janë në alarm për repartin e sulmit, duke u futur në dilema shumë të mëdha për këtë repart.
Duhet ta ndërtojë nga e para, por nuk është e thjeshtë. Sipas planit dhe pa Seferin do të luhet me Bekajn në portë. Mbrojtja me Toshevskin, Najdovskin, Behiratçen e Ismajlgecin. Mesfusha ka Kallakun, por edhe Aleksin e Qefalijën. Sulmi me Hasanin, Gjumsin dhe Xhixhën. Gjithsesi, Xhixha e ka të vështirë që të bëjë qendërsulmuesin, duke iu përshtatur këtij roli në kaq pak kohë.
PLANI B – Me ardhjen e lojtarëve të rinj, Shehi dje ka përdorur një mënyrë tjetër loje. Kështu, duke ndryshuar gjithë skuadrën. Ismajlgeci është spostuar në sulm, është futur titullar Përgjoni në krahun e majtë. Xhixha, djathtas dhe Ismajlgeci majtas në sulm. Me ndryshimet e bëra, Shehi do të luajë me Bekajn, Toshevskin, Najdovskin, Behiratçen, e Përgjonin në prapavijë. Mesfusha me Aleksin, Kallakun dhe Limajn kur të kthehet nga dëmtimi. Sulmi me Ismajlgecin majtas, Xhixhën dhe Hasanin në alternim në qendër dhe djathtas. Zgjidhje për kapitenin e skuadrës që edhe sezonin e shkuar u provua në sulm.
FORMACIONI I TITULLIT – Tirana shkatërron gjithë skuadrën kampione të Shqipërisë, që solli titullin e 26- të. Nëse nga ekipi ikin edhe Taulant Seferi, Devid de Silva dhe Visar Bekaj nga kampionët mbeten shumë pak njerëz. Kështu, Ismajlgeci, Toshevski, Najdovski, Behiratçe, Limaj dhe Xhixha janë “mohikanët” e mbetur të kampionëve dhe dy lojtarë që nuk kanë qenë gjithmonë titullarë. Deri tani kanë ikur Totre, Ngo, Toli dhe Hoxhallari, ndërsa në horizont janë edhe tri largime të tjera. Në gjithë këtë vorbull Tirana zbrazet nga yjet e saj dhe duhet të ndryshojë si stilin e lojës edhe ekipin.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit
