Ishte 29 prilli 2014 kur Reali ndryshonte kursin e historisë së tij në përballjet kundër klubeve gjermane. Atë ditë Reali i Karlo Ançelotit – edhe sot trajner i Madridit – fitonte 0-4 në Mynih përballë Bajernit, duke siguruar një biletë për në finalen e Ligës së Kampioneve.
Ishte e para pas 12 vitesh. Reali shkonte të fitonte trofeun, por të gjithë e kujtojnë dhe për faktin se Madridi kishte thyer më në fund tabunë “Gjermani”. Në 26 takime të mëparshme në tokën gjermane, Reali i Madridit numëronte vetëm një sukses, 2-3 në fushën e Leverkusenit në sezonin 2000-2001 në fazën në grupe në Ligën e Kampioneve.
Gjermania ishte kthyer në një tokë të mallkuar, me humbje të rënda, veçanërisht ato ndaj Dortmundit të Levandovskit dhe Jyrgen Klopit. Me radhë, Mynih 1860, Gladbahu, Bajerni, Karl Zais Jena, Hamburgu, Kaizerslauterni, Këlni, Leverkuseni, Dortmundi e Bremeni i kishin shkaktuar shumë plagë Realit. Por le të kthehemi në Mynih, skena e betejave të paharrueshme të të ashtuquajturit “Klasikja e kontinentit”.
As në stadiumin e vjetër olimpik dhe as në “Allianz Arena”, skuadra e bardhë nuk kishte mundur asnjëherë të fitonte përballë Bajernit deri në vitin 2014. E shumta ishte një barazim dhe 9 humbje. Por që nga ai takim, Reali ka kthyer rrotën e historisë në favorin e vet dhe që nga viti 2016, madrilenët, në 11 takime radhazi nuk njohin humbje përballë gjermanëve. Frankfurti do të jetë sfida e radhës.
MILANI – Por Reali do të kërkojë dhe një tjetër rekord në takimin e sotëm në mbrëmje në Helsinki. Madrilenët shpresojnë t’i bashkohen Milanit dhe Barcelonës në listën e klubeve që kanë fituar më shumë herë Superkupën e Europës. Milani dhe Barça numërojnë 5 trofe, ndërkohë që Reali vjen pas tyre me 4 trofe. Perez shpreson t’i bëjë dhe ai pesë sikurse ish-homologu i tij te Milani, Silvio Berluskoni.
Arena e Lajmit
