
Një efektiv i policisë dyshohet se ka ndihmuar autorët e vrasjes së Brilant Martinajt, Besmir Hoxhës dhe Dikler Vatës të largohen pasi i vunë zjarrin makinës që përdorën në ngjarje.
Emisioni “Në Shënjestër” publikoi sot pjesë nga dosja hetimore, ku rezulton se efektivi M.D., ka shoqëruar dhe strehuar autorët edhe para vrasjes verën e kaluar.
Por siç edhe vlerësohet në dosjen hetimore, grupi hetues nuk mund të sigurojë dot numrin apo numrat e telefonit të këtij efektivi policie.
Një fakt i habitshëm ky se si prokuroria dështoi në sigurimin e këtyre provave.
Sipas relacionit të siguruar nga emisioni “Në shënjestër”, pas dështimit të sigurimit të tabulateve telefonike, prokuroria vendosi përgjimin ambiental të punonjësit të policisë.
Uniformat blu i vendosën një GPS në makinën e tij efektivit M.D.
Përmes kësaj praktike policia shpresonte që të merrte informacione të vlefshme që mund të çonin në identifikimin e autorëve të mundshëm të krimit në Fushë-Krujë.
Por pavarësisht këtyre lëvizjeve duket se diçka nuk shkoi mirë në këtë hetim, ashtu si në shumë hetime të ngjashme të kësaj natyre të cilat dekonspirohen pa filluar mirë.
Efektivi i policisë M.D. ishte në dijeni të çdo veprimi hetimor që po bënte policia ndaj tij dhe siç rezulton mori masat e duhura për të mos u peshkuar nga kolegët e tij, që kishin rënë tashmë në gjurmë të aktivitetit të tij kriminal.
Sipas informacioneve të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, pasi Gjykata dha pëlqimin për përgjimin e efektivit të dyshuar të policisë, grupi hetues vendosi të ngrejë një kurth ndaj tij, duke i vendosur këtë herë një GPS në makinën e tij personale.
Por për ta bërë sa më të vërtetë këtë grackë dhe për të hequr çdo dyshim nga ai vetë, efektivi i policisë u thërrit dy herë në Tiranë me arsyetimin e nevojës së një trajnimi. Në fakt, nuk ishte asgjë tjetër vetëm se një rreng i përgatitur nga grupi hetues.
Megjithatë, efektivi M.D. nuk ishte aq i mefshtë sa e mendonin kolegët e tij, të cilët kishin hapur një hetim.
Ndërsa grupi hetues vendosi GPS në makinën e tij dhe pritej që punonjësi i dyshuar i policisë të vinte me makinën e tij, çuditërisht në të dyja rastet e paraqitjes së tij në ‘trajnim’, ai mbërriti jo me automjetin e tij, por me atë të personave të tjerë.
Duket se nuhatja e oficerit të policisë se mund të ishte në monitorimin e grupit hetues, veproi më shpejt se këta të fundit. Siç mëson edhe emisioni “Në Shënjestër” efektivi i policisë M. D., reagoi në kohë, duke shtangur edhe vetë survejuesit e tij, të cilët i nxori jashtë loje, me një lëvizje të vetme.
Dështimi i përgjimit me anë të GPS, duket se solli edhe ndërprerjen e hetimeve ndaj oficerit të policisë, M. D. Edhe pse ky i fundit, u pa të largonte me makinën e tij, ditën e ngjarjes, autorët e ekzekutimit në mbikalimin e Fushë-Krujës, të Brilant Martinaj dhe dy shoqëruesve të tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.
and then