Bajerni nuk planifikon ndryshime në formacion, Sane dhe blerja e bujshme e merkatos abonohen me stolin

Sipas të gjitha gjasave, Bajerni do të nisë ndeshjen e parë në shtëpi të sezonit të Bundesligës kundër Volfsburgut me të njëjtën skuadër që nisi edhe në fitoren bindëse 6-1 kundër Frankfurtit. “Është kështu për momentin. Nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar asgjë. Unë nuk mendoj se do të ndryshoj diçka”, tha trajneri Julian Nagelsman në konferencën për shtyp të premten. “Përveçse nëse dikush shënon 60 gola dhe bën 50 goditje në seancën e fundit stërvitore të shtunën”, shtoi me humor 35-vjeçari. Në këtë mënyrë, Leroi Sane pritet të nisë ndeshjen e tretë sezonale nga stoli, po ashtu edhe Matajs de Ligt, i cili kishte kuota më të larta për ta nisur titullar në qendër të mbrojtjes.

NAGELSMAN

A do të ketë ndryshime në formacionin titullar kundër Volfsburgut?

Në thelb, si trajner ti merr në konsideratë çdo lojtar. Kur ndryshon diçka, ka dy aspekte: paraqitja dhe ngarkesa e punës. Ne nuk kemi nevojë të ndryshojmë asgjë nga asnjëra pikë. Të gjithë në skuadër janë të rëndësishëm, por nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar dhe nuk pres të ndryshoj asgjë nëse nuk ndodh diçka e jashtëzakonshme.

Pra, Leroi Sane pritet ta nisë përsëri nga stoli. Si po e përjeton ai këtë situatë?

Natyrisht ai nuk është i lumtur që nuk po luan titullar. Njëlloj është edhe Matajs. Konkurrentët e tyre po luajnë shumë mirë. Musiala është në formë, por Leroi nuk është i fyer. Ai është dikush që përpiqet të përmirësohet. Gjithmonë keni nevojë për lojtarë nga stoli që mund të bëjnë diferencën.

Kovaç rikthehet për herë të parë të luajë kundër Bajernit pas largimit. Keni folur me të, si ndihet?

Unë nuk kam asnjë kontakt privat me të, kështu që nuk mund të them. Nga sa shoh, ai është një trajner emocional. I uroj suksese me Volfsburgun, por jo domosdoshmërish të dielën, por në ndeshjet që vijojnë.

A është skuadra edhe më e shpejtë në sulm se vitin e kaluar?

Ne nuk jemi bërë më të shpejtë, ne kemi një ritëm shumë të lartë të lojës, veçanërisht në 1/3-at e fundit të fushës për shkak të lojtarëve me cilësi të ngjashme, të cilëve u pëlqen të luajnë së bashku dhe të lëvizin shumë.

Si do të reagojë Bajerni ndaj kundërshtarëve që luajnë shumë në thellësi?

Kjo është relativisht normale kundër Bajernit. Ne u stërvitëm përsëri këtë javë për të parë se si është kur një kundërshtar mbrohet më thellë. Ne gjithashtu do të krijojmë hapësira kundër kundërshtarëve që po qëndrojnë thellë falë strukturës që u përpoqëm të provojmë sërish këtë javë, por nuk mendoj se do të jetë kështu të dielën. Volfsburgu është një skuadër me ambicie për sezonin dhe jam i bindur se do jetë një lojë argëtuese. Mendoj se edhe ata duan të fitojnë.

Çfarë përshtypjeje keni krijuar deri në këtë moment për Sadio Manenë?

Ju mund të citoni fjalët e lamtumirës së Jyrgen Klopit për të: ai përmirësoi klubin nga dita e parë. Është shumë i përulur, një lojtar që vendos interesat personale pas atyre të skuadrës. Ai është i suksesshëm, por edhe shumë modest.

Si duket plani i rikthimit të Goreckës?

Ai ka nisur të vrapojë tani, por do të kalojë pak kohë përpara se të rikthehet në stërvitje me ekipin. Do të marrë kohën që i nevojitet dhe unë nuk e pyes se kur do të kthehet. Sigurisht që do doja sa më shpejt, që nesër. Gjuri nuk i jep dhimbje dhe procesi i rehabilitimit është pak më pozitiv nga sa kishim menduar.

ANDROKLI DRALO-Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×