Vllaznia dhe tekniku Mirel Josa po u japin dorën e fundit përgatitjeve për takimin e së shtunës ndaj Erzenit. Tekniku Josa duket se pas miqësores me Skënderbeun nuk e ka pasur të lehtë punën për sa u përket lojtarëve që do të jenë të gatshëm për këtë sfidë.
BULATOVIÇ – Përveç Aralicës, “Panorama Sport” mëson se një tjetër lojtar që po shqetëson teknikun është edhe mbrojtësi i qendrës së majtë, malazezi Darko Bulatoviç.
Nga sa mësohet, ai ka marrë një goditje në brinjë, gjë që duket se e ka shqetësuar jo pak lojtarin, i cili ka munguar në seancat e ditëve të fundit. Një dëmtim në dukje i kalueshëm lehtë duket se mund të jetë një shqetësim për lojtarin, i cili e ka humbur tashmë ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Erzenit.
QENDRA – Një mungesë e tillë mund të bëjë që tekniku Josa të përzgjedhë në krah të Juriçit për qendrën e mbrojtjes një nga dy lojtarët që ka provuar në miqësoren ndaj Dinamos, të zhvilluar gjatë ditëve pogradecare. Dajan Shehi dhe Flori Spahija pritet që të jenë në konkurrencë mes tyre për një vend titullari.
Spahija, vetëm 19 vjeç, mori nota maksimale për atë që tregoj në miqësoren ndaj Dinamos, ndërsa vlerësohet maksimalisht nga ana e trajnerëve të tij të akademisë. Nga ana tjetër, Shehi pavarësisht se është një mbrojtës që luan nga e djathta e qendrës së difensivës, mund të ketë më shumë përparësi falë eksperiencës së tij dhe vlerave që tanimë njihen.
ARALICA – Ndërsa një tjetër emër që pritet të jetë mungesë e sigurt, është ajo e sulmuesit Ante Aralica. Kroati ka pësuar një dëmtim në rrëzat e kofshëve, që po e mban larg skuadrës prej ditësh dhe është detyruar të udhëtojë drejt Bullgarisë për rikuperim, por që këtë mesjavë ka mbërritur në Shkodër për t’u bashkuar më pas me skuadrën.
Nga ajo që bëhet e ditur, ai pritet të mos luajë ndaj Erzenit, por do të jetë gati për betejën e dytë në Superiore ndaj Kukësit. E rëndësishme në fakt është që mungesa e tij të mos ndihet dhe tashmë mbetet për t’u parë se kë do të preferojë Josa në majë të sulmit, Kainan apo Vulajn, ku ky i fundit duket se është më pranë formacionit.
FORMACIONI – Pra, nisur nga problematika e shfaqura së fundmi nga Bulatoviç dhe mungesës prej disa ditësh në stërvitje të Aralicës, tekniku Josa pritet që të zgjidhë deri të shtunën vetëm dy pikëpyetje. Zogoviç pritet që të jetë titullar në portë e po ashtu edhe Gurishta, Juriç e Hakaj në mbrojtje. Në mesin e fushës do të vendoset treshja Jonuzi, Boshnjaku e Marku. Ndërsa në dy krahët e sulmit pritet që të aktivizohen Ardit Hoxhaj e Latifi.
ADMIR URUÇI – Arena e Lajmit
