
Drejtori i Informacionit dhe Programacionit në News 24, Robert Rakipllari u shpreh sot se aksioni i IKMT-së dhe Policisë te Prestige Resort është një dënim me vdekje për lirinë e medias.
Ai i bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare, ambasadave dhe shoqatave të mediave të reagojnë ndaj këtij sulmi të kreut të qeverisë ndaj mediave News 24, Balkanweb, Panorama.
Çfarë po ndodh sot në Prestige Resort?
Është shumë e rëndë, është një akt skandaloz. Nuk ka asnjë dokument siç ndodh në një shtet normal ku respektohen disa procedura, ky çohen disa letra. Nuk e kuptoj gjithë këtë nxitim për të sulmuar një nga resortet elitë të të gjithë bregdetit të Shqipërisë. Jam shumë i shokuar nga këto akte skandaloze ndaj një resorti që është me leje, ndaj një resorti ku në prani të kryeministrit ka pritur afganët. Qeveria në mënyrë banditeske shkon e rrethon, largon pushuesit, largon kameramanët. Këto janë skena të denja për regjime policore. Kjo ka lidhje me qëndrimet editoriale të News 24, Balkanëeb dhe Panorama.
Cfarë mund të presim në vijim?
Nuk e dimë se çfarë mund të presim sepse me këtë kryeministër dhe këtë qeveri nuk di se çfarë të presësh. Qendra e Tiranës është mbushur me ndërtime pa leje pa fund dhe nuk kemi të tilla skena. Ndërtimet pa leje lulëzojnë në të gjithë bregdetin. Kryeministri nuk e ka problemin te vendosja e ligjshmërisë. Ai kërkon të mbyllë gojën dhe të vendosë diktatin e vet mbi shoqërinë shqiptare. Ky është një alarm për Shqipërinë. Kur kjo i ndodh një botuesi të rëndësishëm si Irfan Hysenbelliu, mendoni se çfarë mund ti ndodhë qytetarëve. Kjo që po ndodh sot është një dënim me vdekje për lirinë e medias.
Pse gjendemi sot me këtë përballje, çfarë linje ka ndjekur Neës 24?
Ne nuk kemi bërë ndonjë heroizëm, kemi thënë ato që janë. Të gjitha institucionet shtetërore kanë disa muaj që ndërmarrin një sulm ndaj të gjitha kompanive të “Hysenbelliu Group”. Unë e shoh përditë këtë që ndodh. Si gazetar jam i shokuar nga e gjithë kjo që po ndodh. Qytetarët shqiptarë e kanë dhënë një përgjigje, njësoj si në vitin 1990 ata po largohen me gomone. Këto të kujtojnë vitet ’46 ku bëheshin sekuestrime, ku policia e Enver Hoxhës shkonte me dhunë dhe bënte të tilla skena. Më i skandalizuar në gjithë këtë histori jam me ambasadat e huaja dhe institucionet ndërkombëtare që nuk kanë një reagim për ta ndaluar vrullin e këtij kryeministri.
Nuk ka pasur asnjë njoftim, asnjë dokument. Si u njoftuam ne sot?
U njoftuam në orën 7 të mëngjesit ku u turrën policia, IKMT, forcat e xhenios dhe rrethuan hotelin Prestige me shirita. Është e gjitha qesharake sepse është një hotel me leje. Fakti që nuk po lejohet të filmohet asgjë është tipike e regjimeve diktatoriale. Pra krimet bëhen dhe nuk lejohet të dokumentohen. Ne do ta dokumentojmë.
Sa e vështirë është kjo përballje?
Ky është një kryeministër në mandatin e tretë, është një kryeministër që i ka fituar zgjedhjet ashtu siç i ka fituar. E vetmja mundësi që ky kryeministër të ndryshojë mënyrën se si po funksionon është që të ndërhyjnë institucionet ndërkombëtare.
Pse asnjë eksponent i PS nuk reagoi as në gusht?
Rama po e drejton me dorë të hekurt PS-në. Unë kam mesazhe me deputetë të PS-së të cilët shprehin hapur kundërshtinë ndaj kryeministrit Rama për këtë akt. Ka shumë zyrtarë të PS-së që janë në kundërshtim të plotë me këtë akt që po ndodh ndaj një institucioni të rëndësishëm të vendit. Sot po i jepet mesazh çdo zëri të shoqërisë shqiptare që kush guxon të flasë ndryshe nga kreu i këtij regjimi është i destinuar ta pësojë në këtë mënyrë.