
Ledina Aliolli ish deputete e Partisë Demokratike në periudhën 2009-2013 rezulton të jetë fituese e primarave të zhvilluara në degën e Korçës.
Ajo do të jetë kandidatja e selisë blu në zgjedhjet e 14 majit.
Aliolli mori 628 vota përballë 426 votave të Gjergji Gjatës dhe 47 votave të Entela Dvoranit ndërkohë që 16 vota dolën të pavlefshme.
Teksa diferenca në Korçë ishte me rreth 200 vota mes kandidatëve, në Pogradec është shënuar edhe rezultati më i ngushtë në 56 degët ku u zhvilluan zgjedhjet.
Zini Tollozhani, një nga themeluesit e degës së Pogradecit ka fituar vetë me dy vota më shumë (291 me 289) përballë rivalit të tij Oligert Muçllari.
“E nderuar, thellësisht mirënjohëse dhe falenderuese, për besimin që më dhanë sot të gjithë demokratët dhe simpantizantët. Falenderoj nga zemra 1108 demokratët që morën pjesë në këto votime. Falenderoj komisionerët për punën dhe durimin e treguar. Falenderim për dy kandidatët në garë për korrektësinë e treguar. Së bashku do punojmë me të gjithë mundësitë tona, që Korça të drejtohet me modelin më të mirë dhe më përfaqësues të vlerave humane dhe të së drejtës. Sot fitorja është meritë e të gjithëve dhe i përket Partisë Demokratike, si e para parti që ndërmerr një risi kaq domethënëse dhe të rëndësishme për funksionimin e demokracisë së brendshme. Të gjithë së bashku do t’ia dalim! Është koha jonë, për Korçën tonë! Mirënjohje, Ledina”, është shprehur ajo.