Objektivi për të ndërtuar një cikël fitues është vënë seriozisht në diskutim nga Tirana këtë sezon. Pasi fitoi titullin, bardheblutë kishin dy mundësi: të ruanin grupin e lojtarëve dhe të pretendonin të bënin hapa të rëndësishëm në të ardhmen, ose të shisnin xhevahiret e tyre dhe të arkëtonin para të nevojshme për bilancet vjetore.
Zgjodhën rrugën e dytë. Tirana, pasi fitoi titullin, humbi kapitenin Hoxhallari me parametra zero, shiti golashënuesin më të mirë, Seferin, edhe gjithashtu Totren e Tolin, dy lojtarë titullarë në triumfin e sezonit të shkuar. Natyrisht, bardheblutë arkëtuan si askush tjetër: 820 mijë euro.
Po, është një shifër e majme, por ama prekën boshtin e skuadrës dhe do të duhet një mrekulli që të përsërisin sezonin e një viti më parë. Kanë avantazhin që edhe të tjerët kanë pësuar shumë ndryshime, por gjithsesi mbetet një sfidë shumë e vështirë. Tirana largoi De Silvën që nuk “ndezi” asnjëherë si bardheblu, largoi Majkëll Ngonë që ishte thjesht spektator vitin që shkoi dhe Gent Muçën, shumë pak protagonist në fushë, por i rëndësishëm në dhomat e zhveshjes.
AFRIMET
Tirana ka humbur shumë cilësi dhe kjo as nuk diskutohet. Por nëse ka një “ngushëllim”, atëherë ai mund të quhet përvoja e lojtarëve që ka afruar. Aleksi, Hila, Husein, Kallaku dhe Iseni kanë të gjithë eksperiencë në kampionatin shqiptar. E njohin mirë realitetin këtu dhe gjithashtu kanë treguar se mund të përshtaten.
Aleksi i dha shenjat që në Europë. Kallaku ka cilësi, por duhet të kthehet ai i dy viteve më parë. Pjesa tjetër është për t’u parë. Për Florent Hasanin tifozët kanë ende në memorie rastet e humbura në Europë, por kjo nuk do ta pengojë që të shfaqë më të mirën.
KRAHASIMI ME PARTIZANIN
Tirana ndryshoi shumë, por jo trajnerin, drejtorin sportiv dhe portierin. Sa për pjesën tjetër, ashtu si edhe rivalët e përjetshëm, kanë bërë ndryshime në çdo repart.
Xhixha pritet të jetë lideri i sulmit, por puna është kush do ta zëvendësojë Seferin? Po Hoxhallarin? Nëse Aleksi me Kallakun kanë “mbushur” disa gropa në mesfushë, çështja është në sulm dhe në mbrojtje. Dhe jo vetëm kaq, sepse ka edhe një problem tjetër: stoli. Po, po, stoli. Nëse konkurrenca nuk është e duhura në klubin më të titulluar, atëherë bëhet e vështirë të arrish gjëra të mëdha.
OSMANI
Kur Seferi me Totren erdhën te Tirana, deklaruan se i kishte bindur drejtori sportiv, Osmani. Tani u shitën që të dy për afro 700 mijë euro. Nëse shtohen këtu edhe shitjet e Çelhakës (250 mijë euro) dhe ajo e Tolit (120), duket sikur korçari e ka kryer më së miri rolin, sepse në mes është edhe një titull kampion. Jo keq për drejtorin që deri para dy vitesh luante akoma futboll.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit
