EKSKLUZIVE/ Nexhipi rrëfen mrekullinë e kualifikimit në grupe: Partizani është për titull! Ja çfarë mungon në Shqipëri

Dy net më parë, në stadiumin që mban em rin e legjendës më të madhe të futbollit të Kosovës, “Fadil Vokrri”, Ballkani hyri në historinë e mbarë futbollit shqiptar, duke u bërë skuadra e parë shqiptare, e cila arrin të kualifikohet në grupet e Ligës së Konferencës.

Nderim Nexhipi

Një sukses i madh padyshim për gjithë klubin, por një përqindje të madhe të meritave i merr padyshim edhe Nderim Nexhipi, drejtori sportiv, i cili që në vitin e parë, arriti të marrë vendimet e duhura dhe të bëjë zgjedhjet e goditura për të arritur fillimisht titullin e parë në histori e më pas edhe kualifikimin në grupe, pikërisht në të parën aventurë europiane të klubit, çka përbën padyshim një rekord më vete.

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Nderim Nexhipi tregon gjithë emocionet dhe rrugën te mbërritja në një sukses të tillë. Ai flet për ardhjen e Ilir Dajës, tregon ofertat për lojtarët, shanset për nisjen e një cikli suksesi dhe në fund flet edhe për Partizanin dhe Kategorinë Superiore në tërësi, të cilën e konsideron të ekuilibruar.

Sa i lumtur jeni me suksesin dhe a e kishit imagjinuar këtë në fillim të sezonit?

Të them të drejtën, kam qenë shumë optimist para fillimit të këtij edicioni në garat europiane. I kam thënë disa herë edhe presidentit se do të shkojmë larg në Europë. Por, të jem i sinqertë, nuk e kam menduar që në vitin e parë të arrijmë të futemi në grupe. Kjo që kemi bërë është padyshim diçka sensacionale. Ende nuk e besonim sot në mëngjes kur u zgjuam. Ende nuk më besohej që jemi në grupe. Është hera e parë që klubi merr pjesë në garat europiane dhe futemi direkt në grupet e një kompeticioni si Liga e Konferencës. Është arritje shumë e madhe.

Padyshim që Ballkani ka një ekip plot cilësi, por a është Ilir Daja “blerja” më e mirë juaja?

I gjithë ekipi ka merita të jashtëzakonshme, por me ardhjen e trajnerit Ilir Daja, patjetër që kemi marrë një strateg me përvojë të jashtëzakonshme dhe vetë rezultatet flasin për punën e tij. Ardhja e Dajës, patjetër që ka qenë vendimtare dhe ka qenë një goditje e madhe, sepse pas saj, u shpallëm kampionë dhe më pas u futëm në grupe. Patjetër që është një investim i presi dentit në vite, por që në vitin e fundit u bashkuan të gjithë elementët e duhur dhe mbërritëm këtu.

Ju vjen keq për Shkupin? Marrim parasysh faktin se ata janë klubi ku hodhët hapat e parë në futboll…

Marrim parasysh faktin se ata janë klubi ku hodhët hapat e parë në futboll… Patjetër, por është një ndeshje “play-off”, ku njëra prej skuadrave do të kualifikohej dhe secila do të bënte histori. Normal për mua është një ndjenjë më ndryshe, sepse po luaja kundër klubit të fëmijërisë, që më bëri futbollist.

Sidoqoftë, ka kohë tashmë që merremi me këtë sport dhe jemi mësuar me gjëra të tilla. Normal, nuk kisha dëshirë të isha përballë Shkupit në “play-off”, por futbolli është i paparashikueshëm dhe ndodhin gjëra të tilla. Ne jemi profesionistë dhe japim maksimumin në vendin dhe klubin ku punojmë, edhe pse jo më në fushë si futbollist, por në një detyrë tjetër.

Pas gjithë ndeshjeve të mira të zhvilluara dhe shkëlqimit të tyre, ka interes për ndonjë prej “yjeve” të ekipit?

Ka shumë interesim, sidomos tashmë që jemi në grupe ka akoma më shumë. Janë interesuar klube për Krasniqin, Rrahmanin, Korenicën, Dellovën apo Emerllahun. Kemi 5-6 lojtarë, të cilët po ndiqen nga ekipe të tjera dhe besoj se kjo paraqitje e tyre në grupe do të jetë një shans i jashtëzakonshëm për ta dhe nëse luajnë dhe bëjnë mirë, përse jo, klubi të përfitojë nga shitja e ndonjërit prej tyre.

Pra, në këtë verë nuk do të ketë shitje?

Besoj se në grupe do të jemi e njëjta skuadër. Vetëm në rast se do të ndodhë ndonjë surprizë në ditët e fundit të merkatos, e kam fjalën për ndonjë ofertë të parezistueshme. Më pas në janar do të shohim.

A është kjo një mundësi e madhe tashmë për nisjen e një cikli të ngjashëm me atë të Skënderbeut në Shqipëri?

Ne kemi qenë goxha stabël në aspektin financiar, por me këtë kualifikim në grupe, ne përfitojmë afro 3 milionë euro, që është një shifër e konsiderueshme për futbollin tonë dhe duhet të fillojmë me patjetër të bëjmë diferencën dhe të vazhdojmë rrugën që kemi nisur duke u fuqizuar gradualisht.

Mund ta quajmë një revansh këtë sukses në Kosovë, pas aventurës në Shqipëri, ku nuk arritët një sukses të ngjashëm?

Jo, nuk do ta quaja revansh, sepse kam kaluar tri vite e gjysmë jashtëzakonisht të mira te Kukësi. Pengu më i madh atje ka qenë që nuk kemi luajtur në Kukës. Nëse do të luanim në shtëpi, besoj se do të ishim shpallur kampionë. Ndonjëherë në futboll ndodhin këto gjëra, sidoqoftë periudha te Kukësi ka qenë e jashtëzakonshme dhe e them gjithmonë që Safet Gjici më ka dhënë mundësinë të hyj në këtë rrugë dhe i jam mirënjohës.

Do të kthehesh një ditë të drejtosh sërish në Shqipëri?

Tani për momentin jam fokusuar këtu, po bëjmë mirë te Ballkani dhe gjërat kur ecin mirë, nuk ka nevojë për ndryshime. Jam në fillim të karrierës si drejtor sportiv, është viti i katërt, normalisht që më pret ende një rrugë e gjatë dhe e shoh veten edhe 10 vite të mira në këtë profesion. Për momentin, këtu te Ballkani gjërat po shkojnë shumë mirë dhe shpresoj të shkojmë sa më gjatë.

Kjo që arritët, a është një leksion i Ballkanit për skuadrat e tjera shqiptare, që nuk arritën të njëjtin sukses?

Ballkani është ekip që vjen nga një qytet i vogël. Gjithsesi unë e them gjithmonë që janë një vend i vogël me zemër të madhe. Janë shumë mikpritës të gjithë, e duan shumë futbollin. Klubi ka një president që investon shumë në futboll. Është diçka shumë e mirë, që po ecën si përrallë dhe do të tentojmë që nga viti në vit të rrisim nivelin tonë dhe të bëhemi më të fuqishëm.

Çfarë duhet të mësojnë klubet shqiptare nga Ballkani?

Nga Ballkani patjetër që duhet të marrin durimin. Presidenti për 3-4 vite ka dështuar në aspektin që nuk fitoi titullin dhe as doli në Europë. Ka shpenzuar shuma marramendëse të parave të tij dhe të familjes së tij, por nuk është dorëzuar asnjëherë.

Duhet të përshtaten gjërat në aspektin organizativ dhe çdo gjë tjetër dhe më pas durimi është gjithmonë ai që shpërblehet në fund. Ndoshta ndonjëherë Zoti vonon, por nuk harron. Për një klub durimi është shumë i rëndësishëm, gjërat nuk bëhen brenda natës. Durimi është problemi më i madh i klubeve shqiptare.

Cila nga skuadrat e Superiores ka diçka më shumë se të tjerat?

Sivjet e shoh kampionatin shumë të barabartë. Tirana ishte ajo që bënte pak më shumë diferencën, ndërsa tani i janë larguar disa lojtarë. Do të jetë një luftë mes disa ekipeve. Mendoj se Partizani, Tirana dhe Vllaznia duken më me potencial, pa harruar me pas Laçin dhe Kukësin. Vllaznia e mbajti pjesën më të madhe të grupit dhe mori disa lojtarë cilësorë. Partizani solli së fundmi Da Silvën, që mendoj se është një transferim shumë i mirë.

A është Partizani i këtij sezoni më i fortë se i vjetshmi?

Partizanin e shoh aty-aty me vitin e kaluar, siç kanë qenë. Kanë marrë lojtarë të mirë dhe besoj se do të luftojë për titullin këtë sezon, duke pasur parasysh që skuadrat kanë më pak diferenca sivjet.

Më lart përmendëm durimin. Partizani nuk e priti Dritan Mehmetin dhe e largoi 11 ditë para nisjes së sezonit. Është ky një sinjal negativ?

Aty besoj se ka pasur ndonjë mospërshtatje idesh, sepse nuk është se Dritan Mehmeti është njeri që mund të largohet 11 ditë para kampionatit. As ato që vendosin, nuk janë të tillë që të marrim vendime të tilla duke u mbështetur tek aspekti sportiv dhe teknik. Unë mendoj se aty ka pasur ndonjë mosmarrëveshje dhe e kanë zgjidhur në këtë mënyrë.

Ka ardhur një trajner italian, bashkëkombësit e të cilit nuk kanë arritur sukses më parë me “demat”. E thyen Kolela këtë “tabu”?

Çdo herë është një mundësi e re. Ta shohim këtë herë se si do të shkojë me Kolelën.

DENIS LALA – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×