
Shqetësimi i ngritur nga ambasadorja amerikane Yuri Kim për manipulimin e procesit të zgjedhjes së Kreut të ri të SPAK-ut, bëri që kryeministri Edi Rama të ndryshojë qëndrim për rëndësinë e SHBA-së në procesin e reformës në drejtësi.
Nga test për seriozitetin e marrëdhënieve me SHBA, reforma në drejtësi tashmë sipas kryeministrit mbetet tërësisht në duart e institucioneve të brishta të drejtësisë.
Përpara se te dilte me deklaratat sovraniste të kësaj të mërkure, kryeministri Rama deklaronte se mbështetja e SHBA ka qenë jetike për të forcuar shtetin e së drejtës.
Shigjetimet e kryeministrit ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim nisën në ceremoninë e organizuar për 30-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, ku kreu i qeverise foli për ndërkombëtarë që nuk ndihen të huaj tek drejtësia, por kanë luksin “të ndajnë në publik gëzimin apo hidhërimin për vendimet e gjykatave”.
Pas kësaj, diplomatja amerikane u shpreh se ishte në dijeni të disa përpjekjeve për të joshur apo frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, në mënyrë që të mos ketë ndëshkime për më të fuqishmit. Dhe më pas bëri thirrje që procesi i përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK të mos ndikohet e as manipulohet.
Deklaratat nxitën reagimin e qeverise, që u mundua të japë mesazhin se pesha e ambasadores është zbehur, se ajo s’ka pse dëgjohet si më parë, pasi është një ambasadore në largim, që po shtyn në Tiranë ditët e fundit të saj.