Moviola e javës së dytë/ VAR përmbys arbitrat. Të sakta ndërhyrjet në Shkodër dhe Elbasan, Bylisit i mungoi një penallti

Në dallim nga java e parë, ku gjyqtarët i menaxhuan pa probleme ndeshjet, java e dytë e përkeqësoi disi paraqitjen e “xhaketave të zeza”. Kjo ishte java e VAR-it, duke përmbysur vendimet e arbitrave në fushë. Nga ndërhyrjet e teknologjisë në tri takime, dy shpëtuan arbitrat e fushës, pikërisht te Vllaznia-Kukësi dhe te Partizani-Laçi, që u luajt në “Elbasan Arena”. Ndërsa ndryshimi i penalltisë së dhënë për Bylisin ndaj Teutës nga gjyqtari kryesor, nga pamjet filmike rezulton si një vendim i nxituar nga VAR-i. Kështu që rezultantja e gabimeve të bëra nga gjyqtarët në këtë javë tregon se Bylisi është i ndëshkuari i parë i sezonit, pasi i është mohuar një penallti, që për hir të së vërtetës, arbitri Indrit Myrtja e akordoi në fushë, por u anulua me VAR. Rastet për moviolë kanë nisur të dalin në javën e dytë, por shpresohet që situata të mbahet nën kontroll në javët në vazhdim. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e dytë në Kategorinë Superiore:

meta var

PARTIZANI – LAÇI 1-0Gjyqtarë: K. Shahini, D. Myftari, A. Zalla (Tiranë); VAR: F. Lata (Durrës), R. Mersinasi (Tiranë)

Takimi u vendos nga një penallti, që gjyqtari kryesor Klodian Shahini nuk e dha, por që u riparua nga arbitrat në dhomën VAR.

39′ Skuka zbret furishëm drejt zonës, ka një kontakt me Mazrekajn dhe rrëzohet në tokë. Gjyqtari shkon ta kontrollojë në VAR dhe me të drejtë akordon penallti, të cilën nuk e akordoi direkt në moment.

84′ Lojtarët e Partizanit pretendojnë një penallti. Cara depërton në zonë dhe tenton pasimin për Da Silvën, me Turkajn që e prek pak topin, por afërsia dhe fakti që nuk i ndryshon trajektoren topit, i jep të drejtë kryesorit Shahini, që vazhdoi lojën.

90+1′ Da Silva rrëzohet në një duel në zonë. Partizani pretendon penallti. Pamjet tregojnë se Da Silva ka simuluar dhe meriton karton të verdhë, të cilin gjyqtari ia kurseu.

VLLAZNIA-KUKËSI 2-1Gjyqtarë: K. Meta, E. Doda, M. Shazivari (Tiranë)/ VAR: J. Xhaja, D. Rexha (Tiranë)

Vllaznia-Kukësi u gjykua nga arbitri Kridens Meta në fushë, ndërsa në dhomën VAR ishin 2 gjyqtarë me stemën e FIFA-s, Juxhin Xhaja dhe Denis Rexha. Në përgjithësi, ndeshja shkoi mirë dhe pa raste të kontestuara, por kur sfida po shkonte drejt fundit, u regjistrua edhe rasti i vetëm për moviolë.

Minuta 90+2′: Kaina pengohet në zonë nga Ilieski dhe gjyqtari Meta akordon penallti. Rasti kontrollohet dhe gjyqtari Meta thirret nga arbitrat e VAR-it për ta parë nga afër rastin. Pas kontrollit me VAR, gjyqtari e ndryshon vendimin duke e anuluar penalltinë dhe karton i verdhë Kainës për simulim.

Një rast i dyshimtë, pasi mungon pamja e saktë nga prapa nëse Ilieski e ka penguar apo ka pasur kontakt me këmbën e djathtë në këmbën e Kainës.

Ajo që mund t’i ketë bindur gjyqtarët e VAR-it për të anuluar penalltinë, ishte edhe hedhja disi e ekzagjeruar e brazilianit të Vllaznisë.

Duke munguar pamja e saktë, i bie që të vlerësohet vendimi i gjyqtarëve të VAR-it, të cilët e thirrën dhe i mbushën mendjen edhe kryesorit Meta.

TEUTA-BYLISI 1-1Gjyqtarë: I. Myrtja (Shkodër), N. Bregasi (Tiranë), J. Podgorica (Shkodër)/ VAR: E. Jorgji, E. Ganxhi (Elbasan)

Ndeshja mes Teutës dhe Bylisit kishte edhe një episod për moviolë, ku kryesori shkodran Myrtja u konsultua me sistemin VAR.

Në minutën e 35-të Soza i Bylisit hyn në zonë në krahun e majtë dhe pas një kontakti me Karabecin, rrëzohet.

Gjyqtari Myrtja bën shenjë nga pika e bardhë pa hezituar, pavarësish protestave të durrsakëve. Më pas ai nis një komunikim të gjatë me VAR-in për të përcaktuar nëse kishte kontakt apo jo dhe më pas niset t’i shohë vetë pamjet.

Pas tri minutave, Myrtja pasi sheh pamjet, vendos të kthejë mbrapsht vendimin e tij, ndërsa ndëshkon me të verdhë për simulim sulmuesin e Bylisit. Sipas tij, nuk kishte kontakt, edhe pse është një episod shumë i dyshimtë.

EGNATIA-TIRANA 0-2Gjyqtarë: L. Alla, M. Qose, E. Malo (Lushnjë) / VAR: E. Hamiti, R. Çokaj (Lezhë)

Takimi nuk pati probleme me gjykimin, ndonëse u regjistrua një dëmtim i rëndë i Qefalijajt të Tiranës nga Hamzat i Egnatias. Vetëm një rast ishte për moviolë në këtë ndeshje.

Minuta 26: pas një krosi në qendër të zonës së Tiranës, Egnatia kërkon një penallti për një prekje të sferës me dorë nga ana e Toshevskit. Pamjet filmike tregojnë se nuk ka pasur prekje me dorë dhe, me të drejtë, gjyqtari vijoi lojën.

KASTRIOTI-ERZENI 0-0Gjyqtarë: E. Bastari, R. Avdo, D. Agaraj (Tiranë) / VAR: A. Koçi (Durrës), A. Koçiaj (Tiranë)

Kjo ndeshje u mbyll pa raste të diskutueshme, ndonëse nga kampi shijakas pati pakënaqësi për menaxhimin e kartonëve, ku sipas tyre, u falën disa ndërhyrje të gabuar të kundërshtarit.

Arena e Lajmit

 


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×