Distanca mes klubeve të Premier Ligës dhe të kampionateve të tjerë të rëndësishëm në Europë sa vjen e thellohet. Në ishull po afrojnë lojtar nga çdo kënd i Europës e jo vetëm. Këtë verë Spanja ka qenë një treg i rëndësishëm për mjaft klube të Premier Ligës.
Ndërkohë që vetë La Liga ka humbur disa nga emrat e vet të rëndësishëm, e për pasojë edhe më shumë cilësi. Aleksandër Isak i cili u transferua nga Sociedadi te Njukasëlli për shumën rekord të 70 milionë eurove është rasti më i fundit i rrjedhjes së cilësisë nga kampionati spanjoll. Sulmuesi suedez ka ndjekur hapat e të tjerë futbollistëve të rëndësishëm të La Liga-s që zgjodhën të transferoheshin në Premier Ligë në këtë merkato vere.
Para Isak ishte Kasemiro që la Realin për t’iu bashkuar Mançester Junajtidit. Një tjetër klub i madh spanjoll, Barcelona nuk i ka shpëtuar tundimit për të shitur lojtarë në Premier, me Kutinjon që shkoi tek Aston Vila, Lengle te Totenhemi dhe Neto që firmosi për Bornmëthin. Sevilja dhe Valencia kanë parë gjithashtu që yjet e tyre të largohen për në Angli.
Diego Karlos (Sevilja) iu bashkua Aston Vilës për 31 milionë euro, Guedes shkoi te Uolverhemptoni për 32 milionë euro. Nga ana tjetër Zhoel Robles la Betisin për Lidsin, ndërsa Etupinian la Vijarrealin për Brajtonin për 17 milionë euro.
REBELËT E KLASËS SË MESME –Të mësuar që skuadrat e “Big Six” (klubet e gjashtëshes së parë) Mançester Junajtidi, Siti, Liverpuli, Çelsi, Arsenali dhe Totenhemi janë tunduesit e merkatos, këtë verë ka pasur një fenomen ndryshe. Në këtë sezon janë rebeluar skuadrat e zonës së mesme; Njukasëlli, Aston Vila, Brajtoni, Uolvesi, Lidsi… Të gjithë këto skuadra nuk janë kursyer në merkato.
HABIA – Por ajo që bën habi me transferimet e lojtarëve të elitës së kampionatit spanjoll drejt Premierit, është se të gjithë lojtarët e transferuar në ishull kanë lënë skuadra më të mira për t’u transferuar në skuadra me të dobëta referuar renditjes së sezonit të kaluar.
Arena e Lajmit
