Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez ka folur para mediave në prag të takimit në La Liga kundër Seviljes sonte në mbrëmje në Andaluzi.

Tani që merkato është mbyllur, ai ka bërë një bilanc, duke u shprehur i kënaqur me lëvizjet e klubit. Katalanasit kanë afruar 8 lojtarë në merkato, duke qenë “kampione” në Spanjë.
Megjithatë, ai e ka rezervuar një “por” pa e fshehur se priste dhe një afrim më shumë.
“Fillimisht dua të them se jam shumë i lumtur për merkaton që drejtuesit kanë bërë. Jam i vetëdijshëm se ata kanë bërë një sforco jo të vogël për të ndërtuar një skuadër kompetitive.
Megjithatë, nuk mund ta fsheh se më mungon dhe një lojtar”, ka deklaruar Ksavi. Trajneri i Barçës ka folur më tej për takimin kundër Seviljes sonte në mbrëmje.
“Na pret një transfertë shumë delikate. Luajmë në Sevilje ku është gjithnjë e vështirë për të fituar.
Kanë një skuadër të shkëlqyer. Nuk e kanë nisur mirë sezonin, por kjo situatë e tyre nuk duhet të na gënjejë.
Në tri takimet e para kanë marrë më pak nga çfarë kanë merituar.
Kjo do të jetë një provë zjarri për ne”, ka thënë ai. Me grupin e krijuar, Ksavi natyrisht është nën presion për të fituar. Vetë ai e ka pranuar presionin, por nuk i druhet as dështimit.
“Presionin e ndiej çdo ditë. Nëse fiton gjithçka është mjaltë, por nëse humbet nuk del dot rrugëve.
Unë jam konkurrues për nga natyra dhe do të bëj gjithçka për ta udhëhequr Barçën drejt suksesit.
Do të garojmë për çdo trofe në këtë sezon.
Kjo është detyra jonë, pastaj fatin do e vendosë fusha.
Por ne nuk duhet të mendojmë për dështimin, duhet t’i shohim gjërat me sy pozitiv”, ka thënë trajneri i katalanasve.
Arena e Lajmit
and then