Edhe më të mirët në botë duhet të rikuperojnë forcat e tyre dhe Karim Benzema nuk bën përjashtim në këtë drejtim. Pas një fillimi të sezonit në të cilin kapiteni i Real Madridit ka luajtur çdo minutë të mundshme në La Liga, trajneri Karlo Ançeloti ka rënë dakord me yllin e tij për një pushim të merituar.
Trajneri i “Los Blancos” e di më mirë se kushdo se sulmuesi i tij nuk mund të përballojë një sezon tepër të gjatë – dhe me Botërorin në mes – duke luajtur me të njëjtin minutazh dhe me të njëjtat ritme si në sezonin e kaluar. Tekniku i Realit, në bashkëpunim me përgatitësin atletik Pintus, kanë programuar edhe “pushime” për Benzemanë dhe të tjerë lojtarë kyç të skuadrës si Kros e Modriç. Këtë gjë Karlo Ançeloti e bëri me dije edhe në konferencën për shtyp pas suksesit kundër Betisit, ku la të kuptohej se në këtë sezon do të ketë më shumë rrotacion edhe për numrin 9.
“Ai ka shumë zëvendësues. Në këtë pozicion luajnë Mariano, Rodrigo, Asensio, Modriç. Nuk do ta ‘vrasim’, kjo është e sigurt”, tha Ançeloti. Ançeloti dhe Benzema kanë rënë dakord që francezi të luajë 90 minutat kundër Sëlltikut nesër në Champions, ndërsa në fundjavë në La Liga kundër Majorkës pritet ta nisë nga stoli.
Arena e Lajmit
