Kohët ndryshojnë dhe po ashtu edhe zgjedhjet.
Një vit më parë kishte elementët, por nuk kishte dëshirë ta përdorte skemën. Sivjet nuk ka elementët, por Masmiliano Alegri po e drejton Juven në binarët e një 3-5-2-shi aq të kritikuar në të kaluarën.
Me Leonardo Bonuçin, Xhorxho Kielinin dhe Matajs de Ligtin një sezon më parë, kjo dukej skema ideale, por ai preferonte rrotacion në prapavijë dhe ekipin e shtrinte në një 4-3-3 jo aq ideal për karakteristikat e futbollistëve që kishte në dispozicion.
Ndaj PSG-së, Juventusi dhe Alegri i besoi përsëri 3-5-2-shit, më shumë i shtyrë nga mungesat e shumta për arsye dëmtimi, dhe sinjalet ishin më shumë se ngushëlluese.
Një 2-1 në Paris nuk është një rezultat i keq nëse analizohet paraqitja. Francezët mund të kishin shënuar më shumë vërtetë, por askush nuk do të skandalizohej nëse “Zonja e Vjetër” largohej me një pikë në fund të transfertës transalpine, duke parë pjesën e dytë që bëri, duke shpërdoruar në tri raste golin e 2-2 të pamenduar, pas pjesës së parë ku u dominua totalisht.
USHQIM PËR PYKAT – Në ndeshjen e nesërme kundër Salernitanës, Alegri duket se do të përdorë sërish 3-5-2-shin. Minimalisht do të eksperimentojë përsëri, sepse për trajnerin e Juves futbolli është i thjeshtë e topi i rrumbullakët.
Pavarësisht doktrinës së tij, moduli i ndikon zgjedhjet. Bonuçi me Bremerin dhe Danilon në krahët e tij dhanë garanci në Paris. Me një 4-3-3, braziliani i ardhur nga Torino do të vuante, sepse përdoret si qendër e majtë, ndërkohë që shkëlqimin e tij e ka ndërtuar si i djathtë.
Me 3-5-2 duket sikur vuan më pak, por siç thamë, Alegri duhet të mbajë parasysh edhe problemet e infermierisë.
Dëmtimet e Pogbasë, Di Marias dhe Kiezës e kanë shtyrë drejt prapavijës me tre lojtarë, ndërkohë që Vlahoviç dhe Milik duken të lindur për të luajtur krah njëri-tjetrit.
Serbi shënon edhe i vetëm, por me polakun sulmi duket me i plotë. Milik e njeh Serinë A dhe portën, siç e dëshmojnë golat me Specian dhe Fiorentinën. 108 minuta në tri prezenca, por goditjet e tij kanë vlejtur për 4 pikë në renditje.
MESFUSHA ME LARMI – Sukseset më të mëdha të Juves kanë ardhur me Pirlon, Markizion dhe Vidalin në mesfushë, teksa skema ishte 3- 5-2. Edhe në sajë të reminishencave të së kaluarës, Alegri është orientuar nga moduli i ri.
Paredes dhe Lokateli do të alternoheshin në kabinën e regjisë, teksa Rabio e Mekeni duhet të plotësojnë mungesën e Pogbasë. Në pritje të rikthimit të francezit, do të përdoret edhe Mireti që e ka treguar veten si një i ri i besueshëm.
Kuadrado, Aleks Sandro, De Shiljo e sidomos Kostiç do të ishin shigjetat e korsive bardhezi. Zbritje, vertikalizime dhe krosime për pykat janë në repertorin e secilit, teksa Alegri do t’i përdorte në varësi të nevojave.
Në kushtet aktuale, 3-5- 2-shi duket si një zgjedhje e orientuar nga mungesa e ‘lëndës së parë’, por mund të rezultojë zgjidhja e problemeve të një “Zonje”, e cila ka shpirt dhe qëllime të lënduara.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI
