Interi ka një organikë të kompletuar dhe kjo është arsyeja kryesore pse rezultatet jo të mira të fillimit të sezonit, e vunë me shpatulla pas murit Simone Inzagin. Trajneri ka fatin të ketë të dubluar në nivel të lartë çdo rol në fushë dhe përveç kësaj po shfrytëzon edhe konkurrencën e shëndetshme mes të tijve për fanellën e titullarit. Jo më kot rrotacionet kanë qenë të shpeshta sidomos në ndeshjet e fundit.
PORTA – Handanoviç deri më tani ka qenë portieri i kampionatit, ndërsa Onana i Champions-it. Trajneri nuk ka preferuar t’i ndajë kështu, por e tillë do të ishte nëse u referohemi ndeshjeve në t cilat kanë zbritur në fushë. Kapiteni 37- vjeçar ishte parashikuar të ishte titullari, por mënyra e lojës së kamerunasit, moderne, agresive dhe duhet thënë ndonjëherë edhe gabimet e Handanoviçit, bënë që Onana të ngjiste shkallët e hierarkisë. 26-vjeçari pritet të luajë shumë më shumë nga ç’ishte parashikuar në fillim të sezonit kur Inzagi paralajmëronte se titullar do të ishte slloveni.
MBROJTJA – Paraqitja fantastike e Açerbit në Champions Legague ka provuar se Inzagi ka më në fund mbrojtësin që ka kërkuar me ngulm gjatë verës. Ndërsa duhej një qendërmbrojtës si alternativë e De Vrajit, ish-laciali po rezulton të jetë edhe kandidat për fanellën e titullarit të holandezit. Po ashtu italiani ëhstë kërcënues edhe për bashkëkombësin e tij Bastoni në të majtë, sikur këtij të fundit mos t’i mjaftonte konkurrenca me Dimarkon. Nga Açerbi “i shpëtuari” i vetëm i prapavijës është Shkriniar, që ama vendin e tij e ka ndarë herë pas here me D’Ambrozion.
KRAHËT – Gosens është e panjohura e madhe e Interit në të majtë, me gjermanin që nuk po mbush dot hapësirën e lënë nga Perisiç, ndërkohë që Mateo Darmian është xholi i zikaltërve. Italiani luan si në të majtë dhe në të djathtë, duke “bezdisur” si Dumfris dhe Gosens, pa harruar që në të majtë është gjithmonë i pranishëm Dimarko.
SULMI – Dëmtimi i Lukakut ka bërë që Lautaro të ndryshojë shpesh partnerë. Xheko është gjithmonë e më shumë vendimtar duke bërë të mos i ndihet mungesa belgut, ndërkohë që luhatjet e Korreas janë të vetmet që shqetësojnë trajnerin në repartin ofensiv. Me rikthimin e belgut, Inzagi do ta ketë të plotësuar panoramën e sulmit, ku zgjedhjet nuk i mungojnë dhe karakteristikat e ndryshme po ashtu.
Arena e Lajmit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
