Partizani mori një fitore të rëndësishme në transfertë me Kukësin duke rimarrë kreun në javën e pestë të Superiores. Në një prononcim për “Oversport”, trajneri i të kuqve, Xhiovani Kolela, u shpreh se është i lumtur për reagimin e skuadrës në këtë fillim kampionati dhe e quan të shëmtuar episodin me Tedi Carën.
“Ai episod i Carës është një episod shumë i shëmtuar, që në italisht ne kemi shumë epitetet për t’i vendosur, por që unë nuk po e bëj. Për sa i përket ndeshjes ishte realisht shumë e vështirë. E dinim që Kukësi do të luante një ndeshje shumë të fortë, por bravo dhe për ne që arritëm të reagonim mjaft mirë. ishte një ndeshje që nuk mund të luhej me një thikë të vogël, por me një shpatë të madhe.
Më pëlqeu në tërësi qasja e skuadrës. mund të kishim luajtur dhe mirë dhe ta kishim humbur. Më mirë që luajtëm kështu, sepse kjo do të thotë që jemi rritur.
Nuk më takon mua të vendos notat për gjyqtarët. Ato i vendosin të tjerët. Ata janë një pjesë e futbollit, sepse vendosin drejtësi në ndeshje.
Ne ishim duke bërë mirë edhe përpara se Masanga të ishte në lojë. Unë e bëj formacionin në bazë të lojtarëve që kam në dispozicion. Ai sapo ka ardhur nga një dëmtim dhe është stërvitur shumë pak. Ishte e drejtë që në vendin e tij të luante një shok që është stërvitur më shumë me skuadrën gjatë kësaj kohe.
Cara ka shkuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Unë kam informacionin e fundit që ka marrë 7 të qepura në zonën poshtë syrit.
Çdo ndeshje është e rëndësishme. Menduam për Kukësin që i dhamë rëndësinë e duhur. Avash, avash do të bëjmë të njëjtën gjë dhe me Tiranën.
Jam shumë krenar që jam trajner i Partizanit. Dua të përgëzoj dhe lojtarët për punën që po bëjnë. E kam shumë të vështirë për të krijuar formacionin përpara çdo ndeshje, sepse në stërvitje po bëjnë mirë të gjithë lojtarët”, u shpreh Kolela.
Arena e Lajmit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
