Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, e ka cilësuar ndërprerjen e kampionatit për 10 ditët e ardhshme si një qetësi për skuadrën. Në prononcimin pas ndeshjes, kreu i pankinës u ndal për të folur edhe për aktivizimin për herë të parë si titullar të mesfushorit Rejan Alivoda, si dhe ndeshjen e radhës me Flamurtarin për turin e parë të Kupës së Shqipërisë.
“Ndërprerja në këtë moment është një qetësi për skuadrën. Natyrisht, ne do të vazhdojmë punën për të bërë më të mirën për vazhdimësinë.
Kjo nuk do të thotë se do të pushojmë, pasi ndeshja tjetër është afër. Sa i përket Alivodës, mendoj se bëri punën e tij.
E kam shikuar, qoftë në stërvitje dhe ndeshje kontrolli që kemi bërë, kështu që derisa e aktivizuam, do të thotë se e meriton. Ai ka për detyrë që të luaj dhe unë i kam dhënë besimin tim.
Këtë besim kanë edhe shokët e skuadrës tek ai. Është vetëm një ndeshje dhe nuk dua që të flasim në hava. Nëse mban ritmin e tij individual edhe në ndeshjet e tjera, unë besoj se është në rrugë të drejtë”, deklaroi fillimisht trajneri.
Josa kërkon që skuadra të vlerësojë në maksimum Flamurtarin e Kategorisë së Parë, duke mos menduar për ndeshjen e javës së gjashtë të kampionatit ndaj Teutës.
“Normalisht që ne do të mendojmë më parë për Flamurtarin, sesa për Teutën. Edhe ajo është një skuadër që kërkon për t’u ngjitur ku i takon në Superiore, paçka se nuk e ka nisur me rezultatet që kërkon sezonin në Kategorinë e Parë.
Nuk ka rëndësi me çfarë petku shkojmë në Vlorë, sepse çfarë kemi bërë më përpara harrohet shpejt. Duhet të kualifikohemi dhe të vlerësojmë drejt këtë takim, i cili është i radhës”, përfundoi kreu i pankinës kuqeblu.
A.URUÇI – Arena e Lajmit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
