“Nuk është një nga ligat më të forta në planet”, argjentinasi Lapera edhe një tjetër sezon me Tiranën e rrjetës: Më tërhoqi Challenge Cup

Po jeton ëndrrën e tij në një vend të panjohur. Volejbollisti Gonzalo Lapera vjen në Shqipëri për të luajtur sezonin e dytë me skuadrën e Tiranës, pasi ka qenë lojtar kyç në sukseset e bardhebluve në sezonin e kaluar, tashmë ai po përgatitet të luajë në kompeticionet europiane.

la[pera 3

Në fillimet e tij, Lapera spikati në kombëtaren e Argjentinës, duke shkëlqyer në marrjen e medaljes së argjendtë në Lojërat Olimpike për të Rinj në Singapor në vitin 2010. Më pas, ai u fokusua te studimet, por duke vazhduar të ishte protagonist i garave kombëtare të volejbollit në Argjentinë. Që nga viti i kaluar iu dha mundësia për të luajtur jashtë vendit dhe pas dy tentativave ia doli ta realizojë atë në Shqipëri, një vend që aspiron të hyjë në nivelin e lartë europian.

Lapera tashmë rikthehet për të kontribuar në sfidën e tij më të madhe historike, ku do të ketë mundësinë të luajë edhe në Kupat e Europës, në “CEV Challenge Cup”, aty ku bardheblutë do të përballen në raundin e parë me sllovakët e Rieker Ujs Komarno. 29-vjeçari ka rrëfyer për mediat argjentinase eksperiencën shqiptare dhe pritshmëritë për edicionin e ri.

PËR MË SHUMË PËRVOJË – “Unë do të luaj në të njëjtin ekip që isha në sezonin e kaluar, por ndryshimi është se këtë herë jam bashkuar që në fillim të sezonit, ndaj jam shumë i lumtur për këtë edhe për faktin se u kualifikuam për të luajtur në Kupën e Europës”, shprehet fillimisht Lapera. Kontrata e re e argjentinasit do të zgjasë për tetë muajt e sezonit, me volejbollistin që do të mbrojë ngjyrat bardheblu në aktivitetet kombëtare në vendin tonë, në eventet mbarëkombëtare Shqipëri-Kosovë, plus mundësinë emocionuese për të avancuar në Kupën CEV.

lapera 2

“Nuk është një nga ligat më të forta në planet, por më pëlqen opsioni për të luajtur jashtë vendit. Dua të përfitoj nga ky sezon i ri, sidomos duke ditur që do të luaj në Kupat e Europës, ku ka skuadra më të forta, për të vazhduar të shtoj më shumë eksperiencë jashtë vendit”, deklaron Gonzalo, lojtar i dalë nga klubi Libertador San Martin në Argjentinë.

PIONIER NË SHQIPËRI – Përveç statistikave të mira në çdo skuadër që ka shkuar, Gonzalo Lapera ka edhe një shenjë: është argjentinasi i parë që luan në Ligën shqiptare. “Që kur erdha, te Tirana më bënë të ndihesha pjesë e ekipit dhe në fushë kisha një rol drejtues. Isha pjesë e rëndësishme e skuadrës në fitoren e kampionatit, sukses që nuk ishte arritur prej 28 vitesh në klub”, thekson Lapera, i cili vijon: “Ne gjithashtu gjatë edicionit të kaluar fituam të pesë kupat në të cilat morëm pjesë, kështu që këtë vit shpresoj se do të arrijmë në finale”.

lapera

KUPAT E EUROPËS, TRAMPOLINË – “Sa i përket Kupës së Europës, ne kemi pritshmëri për të kaluar në raundin e dytë”, u shpreh i emocionuar ai. Pikërisht, pjesëmarrja në “CEV Challenge Cup” mund të jetë kompeticioni që e katapulton drejt objektivave të tjerë në Kontinentin e Vjetër. “Gjithmonë kam dashur të bëj një test si ky. Vite më parë isha i fokusuar te studimet dhe te puna, por dyert u hapën në kohën e duhur. Dëshira ime është të vazhdoj të luaj jashtë vendit, të njoh vendet dhe të punoj në atë që më pëlqen, në volejboll”, deklaron 29-vjeçari.

ARTIN LLESHAJ – Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×