
Pas disa ditësh pasigurie dhe shqetësimi për fatin e saj, Anxhela Shurdha është rikthyer në Shqipëri dhe tashmë ndodhet pranë familjes dhe vajzës së saj. Në një intervistë ekskluzive telefonike për emisionin “Me Zemër të Hapur”, me autoren dhe moderatoren Evis Ahmeti, e reja ka treguar versionin e saj për largimin drejt Greqisë, arsyet e zhdukjes pa njoftuar familjarët dhe historinë e martesës së vështirë. Anxhela mohon pretendimet se ka braktisur vajzën, duke këmbëngulur se largimi ishte një vendim i marrë me dëshirën e saj dhe se e kishte lënë të voglën në kujdesin e prindërve. Sipas saj, synimi ishte të gjente një mundësi punësimi dhe të siguronte një jetë më të mirë.
Ajo tregon se ditën kur u raportua e zhdukur kishte qenë duke punuar në një lokal në Fier, ku ishte organizuar një ditëlindje. Për shkak të fluksit të punës, që kishte zgjatur deri pas mesnate, pronari kishte kontaktuar prindërit e saj për t’i njoftuar se do të qëndronte më gjatë dhe do të flinte te një shoqe.
“Prej disa kohësh isha punonjëse në një lokal në Fier. Kishim një ditëlindje ditën që u zhduka, sepse kishim shumë punë. Ndenja më shumë orë atë ditë. Ma kërkoi pronari i punës. Ai mori prindërit në telefon dhe i njoftoi se do të punoja deri vonë dhe se unë do të flija te një shoqja ime. Atë ditë ditëlindja mbaroi rreth orës 1-2 të mëngjesit. Shkova më pas fjeta te një shoqja ime”, rrëfen Anxhela.
Ajo shpjegon se shoqja me të cilën qëndroi ishte e divorcuar dhe, sipas saj, kishte një familje të mirë dhe ishte një person të cilit i besonte. Më pas, të dyja vendosën të largoheshin drejt Greqisë, me shpresën për të gjetur mundësi më të mira ekonomike. Anxhela thotë se vendimi u mor atë natë dhe se nuk kishte pasur ndonjë konflikt apo problem që t’i detyronte të largoheshin. “Pastaj menduam të iknim në Greqi, për një jetë më të mirë. E vendosëm atë natë që të iknim. Nuk kishim asnjë problem. Nuk kishim bërë ndonjë gjë të gabuar. Mbërritëm në tokën greke. Rreth 6 orë udhëtuam. Na ka marrë pronari i koleges sime, mikeshës sime, kontaktoi me të në telefon dhe na priti me makinë”, tregon ajo.
Sipas Anxhelës, një natë qëndruan në banesën e personit që i priti, i cili më pas u siguroi punë të dyjave. Ajo tregon se shoqja u sistemua në dy familje, ndërsa vetë Anxhela filloi të punonte në dy familje të tjera, duke u marrë me gatimin dhe pastrimin. E reja këmbëngul se nuk e ka braktisur të bijën dhe se paratë e fituara nga puna ia kanë dorëzuar familjes. “Ika me dëshirën time, me mikeshën time. U morëm vesh me mirëkuptim. Ditët që kemi punuar, lekët që kemi marrë ia kemi dorëzuar familjes”, deklaron ajo. Pas rikthimit në Shqipëri, Anxhela tregon se takimi me vajzën dhe familjarët ishte tepër emocionues. Ajo thotë se e gjeti të bijën shumë mirë, ashtu si edhe nënën e saj, ndërsa babai ndodhej në punë. Megjithatë, historia e Anxhelës nuk lidhet vetëm me largimin drejt Greqisë. Ajo ka bërë edhe një rrëfim tronditës për dhunën që pretendon se ka përjetuar gjatë martesës, duke akuzuar ish-bashkëshortin dhe ish-vjehrrën se e kanë lidhur me litar në një pyll, ndërsa vajza e saj e vogël pinte gji mbi të.
“Unë e doja burrin tim. I thoja; hiq dorë nga ajo grua se ajo të do për interes. Unë kur erdhi babi në Greqi për ditëlindjen e vajzës, i tregova të vërtetën. I tregova se ai më keqtrajtonte dhe kishte një tjetër. Babai im mori ish-burrin tim dhe bisedoi me të. Kur e morën vesh që isha ankuar, ata ditën tjetër, ish-burri dhe ish-vjehrri më bënë fjalë brenda shtëpisë. Më thanë; pse u ankove te babai jot. Pse i tregove që kisha dikë tjetër. Edhe vjehrra më rrihte. Nuk bëja asgjë gabim. Punët e shtëpisë. Por më dhunonin. Më morën dhe më lidhën në pyll dy ditë. Më pas më mbanin të mbyllur në dhomë. Më pas njoftova vëllain tim dhe ai erdhi bashkë me një shok të tijin nga Kosova.”, tha ajo.
and then