“Zhdukja” e Elbasanit kampion të 2006-ës, Çapja: Trishtim, humbje për futbollin

Përflitej prej kohësh që KF Elbasani nuk do të merrte pjesë në kampionat këtë sezon. Kjo, sepse pas mbylljes së sezonit nuk kishte nisur puna për organizimin e këtij kampionati. Mirëpo, pas hedhjes së shortit dy ditë më parë nga ana e FSHF-së, u bë fakt i kryer pasi kjo skuadër nuk figuronte, çka solli rrjedhimisht edhe përjashtimin nga kampionati.

elbasani kampion 2006

FOTO: F. Hazisllari

Bëhet fjalë për një klub me histori, që për herë të parë nuk do të marrë pjesë në kampionat. Në muajin janar u nda nga jeta presidenti legjendar i kësaj skuadre, Arben Laze, dhe aksionet i kanë kaluar familjes së tij, por për momentin duket se nuk kanë ndërmend të vijojnë me investimin në klub.

ÇAPJA – “Panorama Sport” kontaktoi me një nga ish-futbollistët e kësaj skuadre, i cili u shpall edhe kampion në sezonin 2005-2006, Hetlem Çapja. Aktualisht trajner i Shkumbinit, sezonin e kaluar ka qenë në stol së bashku me Anxhelo Sutën, duke i mundësuar Elbasanit mbijetesën. Çapja e konsideron si dramatike që ky klub do t’i mungojë futbollit shqiptar, por ka besim se bëhet fjalë thjesht për një stopim dhe nuk mendon që është shkrirë.

hetlem capja

“Kjo skuadër ka historinë e vet në futbollin shqiptar, edhe në këtë kategori që ishte vitet e fundit. Kudo ku luanim kishte një respekt nga rivalët për këto ngjyra dhe këtë e ndienim kudo ku shkonim. Ndaj, për mua si ish-futbollist dhe trajner në këtë skuadër, më vjen keq për këtë që ndodhi. Keq duhet t’u vijë të gjithëve për çdo klub që nuk merr pjesë në një kampionat dhe jo më kur bëhet fjalë për Elbasanin. Megjithatë, nga informacionet që kam, nuk besoj se bëhet fjalë për një shkrirje, por thjesht një stopim dhe ndoshta vitin e ardhshëm kjo skuadër do të rikthehet sërish. Gjithsesi, nuk është pak që edhe për të paktën një sezon që Elbasani t’i mungojë futbollit shqiptar, pavarësisht niveleve ku ka luajtur vitet e fundit”, u shpreh Çapja në lidhje me mospjesëmarrjen e KF Elbasanit në kampionat për këtë sezon.

Ai ka marrë përsipër të drejtojë skuadrën e Shkumbinit këtë vit e peqinasve puna po u ecën mirë dhe janë gati për kampionat. “Me Shkumbinin gjërat po ecin mirë, kemi ato synimet tona në kampionat dhe shpresojmë të bëjmë mirë. Jemi njohur edhe me kalendarin dhe do të përpiqemi që në çdo ndeshje të bëjmë më të mirën”, përfundoi Hetlem Çapja.

VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×