
Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte i ftuar aktori dhe regjisori i njohur Erion Isai. Prej rreth 3 vitesh ai është kryetar i Bashkisë së Kolonjës dhe në program ndër të tjera foli edhe për këtë detyrë të rëndësishme.
Isai tha se është përpjekur që t’ua bëjë jetesën më të bukur të gjithë atyre që jetojnë në këtë qytet të vogël në juglindje të Shqipërisë. Kryetari i Bashkisë së Kolonjës zbuloi se për këtë eksperiencë është duke shkruar një libër, të cilin pritet ta publikojë këtë verë. Libri titullohet “Komedia e një mandati”.
I rritur në qytetin e Kolonjës, Erion Isai u shpreh se ka kaluar një fëmijëri shumë të bukur. “Po funksionoj shumë mirë si kryetar bashkie, pasi unë po punoj me atmosferën e fëmijërisë sime”.
Angazhimin e tij në politikë regjisori e cilësoi si një pasion të jashtëzakonshëm. Ndërkohë teksa u pyet për lidhjen mes politikës dhe artit, dy fusha të ndryshme në të cilat ai ka zgjedhur të zhvillojë karrierën e tij, Isai tha “Politika dhe arti janë një. Uroj t’i kem lidhur bukur”.
Erioni u shpreh se pas zgjedhjeve të këtij viti nuk do të garojë më për një mandat të tretë, pasi për të 8 vite janë mëse të mjaftueshme për të drejtuar një qytet.