Berisha takon ambasadorin e Hungarisë, nga zgjedhjet te mbështetja e Orban, ja temat në fokus

Berisha Amb I Hungarise (3)

Ish-kryeministri Sali Berisha është takuar me ambasadorin e Hungarisë Lorant Balla me të cilin kanë folur për një sërë çështjesh.

Berisha deklaron se në veçanti, e ka informuar ambasadorin “mbi farsën e procesit gjyqësor të pashembullt në historinë e Shqipërisë, me të cilin Edi Rama kërkon t’u imponojë qytetarëve në mënyrën më antidemokratike se nga kush duhet të përfaqësohen si opozitë”.

Ai thekson se ka falënderuar për të gjithë miqësinë e vyer historike që karakterizon marrëdhënien shqiptaro-hungareze, por dhe për rolin e veçantë të mikut dhe Kryeministrit Orban, në intensifikimin dhe nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

POSTIMI I PLOTË

Takim me Ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, Zotin Lorant Balla.

Sot pata kënaqësinë e veçantë të prisja në një takim pranë selisë së Partisë Demokratike, Ambasadorin e Hungarisë, Lorant Balla.

Me Ambasadorin diskutuam gjerësisht mbi aktualitetin e zhvillimeve politike në vend.

Në veçanti, e informova Ambasadorin mbi farsën e procesit gjyqësor të pashembullt në historinë e Shqipërisë, me të cilin Edi Rama kërkon t’u imponojë qytetarëve në mënyrën më antidemokratike se nga kush duhet të përfaqësohen si opozitë. Një proces ky unik në histori gjithashtu për shkak të presionit të papranueshëm të ushtruar mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri nga kanale ekstra-politike dhe diplomatike, tërësisht në shkelje të parimeve më themelore të shtetit të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pavarësisht këtij konteksti i cili është në vijim të një serie aksionesh që kanë si qëllim asgjësimin e pluralizmit politik në vend, ashtu siç u dëshmua nga skandali McGonigal, e sigurova Ambasadorin mbi pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në procesin zgjedhor të 14 majit, duke i garantuar se PD mbetet e angazhuar ndaj parimeve më të mira të garave elektorale, në respekt të votës së lirë dhe demokracisë qytetare.

Gjeta rastin ta falënderoj gjithashtu në emër të Partisë Demokratike, për të gjithë miqësinë e vyer historike që karakterizon marrëdhënien shqiptaro-hungareze, por dhe për rolin e veçantë të mikut dhe Kryeministrit Orban, në intensifikimin dhe nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ai ka qenë dhe mbetet një mbështetës i pakursyer i Partisë Demokratike dhe kauzave tona konservatore, në promovimin e vlerave më të drejta kombëtare dhe të familjes. Takimi ishte i hapur. sb

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×