Zekirija Ramadani, trajneri i Egnatias, e ka cilësuar një ndeshje pa shpirt këtë të sotmen e skuadrës së tij ndaj Teutës. Pas humbjes 3-1, trajneri theksoi për “SuperSport”: se rrogozhinasit duhej të zgjoheshin për të mos dështuar pastaj në play-out.

“Nuk ishte ndonjë diferencë e madhe pozitive në pjesën e dytë, mendoj se ishte ndeshje pa shpirt, pa pikë ndërgjegje nga futbollistët. Në fund të fundit duhet të luajnë për veten, për të mbajtur ekipin në ligë e veten në formë. Se nëse nuk i ikim këtij vendi, duhet të jemi gati për ndeshjen e play-out, më e rëndësishmja e sezonit. Nëse mendojnë të kalojmë si të kalojë, kur të vijë, do të kemi dështuar. Duhet të marrim masa e të jemi të përqendruar deri në fund, duhet të japim maksimumin, duhet të ketë grintë ekipi. Nuk e kam parë ekipin tim sot në asnjë ndeshje si ishte sot.
Ndonjëherë edhe me gabime e humb ndeshjen, por edhe me meritën e kundërshtarit. Ne e kishim përgatitur që të mbanim sa më gjatë sfidën 0-0, të kontrollojë mesfushën dhe të mundohemi me kundërsulme të jemi të rrezikshëm. Përkundrazi, pësuam me kundërsulm, vetëm mungesë përqendrimi, motivimi. Të gjithë kemi faj, edhe ne ndoshta nuk kemi ditur të motivojmë ekipin si duhet, por mendoj nga ndeshja e ardhshme do të kemi një fytyrë më ndryshe.
Çdo gjë është brenda ekipit, bëmë një ndeshje të mirë ndaj Kastriotit në Kamëz dhe pasi humbëm, nuk kemi qenë më ajo skuadër që kemi qenë. Ndoshta pritshmëritë kanë qenë të mëdha dhe dëshpërimi vjen 10 herë më i madh. Jemi munduar të motivojmë e relaksojmë ekipin, ndihet lodhja se kemi bërë shumë volum, por mendoj se ajo ndeshje ndikoi edhe në aspektin psikologjik, jo vetëm në humbjen e tre pikëve.
Asistenti im punon gjithë kohën me goditje standarte, mendoj se ishte kohë e mirë e futbollistit të Teutës me kokë. Ne ishim aty po nuk ia dolëm të mbrohemi. Kontratat janë afatgjatë, nuk mund të ndërhyjmë se çdo kontratë që prishet duhet dëmshpërblim. Presidentit i kam kërkuar që nga gabimet të mësojmë”, tha Ramadani.
Arena e Lajmit
and then