
Arsenali vijon të vuajë për të menaxhuar avantazhin, duke regjistruar barazimin e dytë radhazi, këtë herë 1-1 ndaj Borussia Dortmundit në “Emirates”, në një duel të vlefshëm për raundin e 5 të fazes së ligës në Champions League.
Londinezët e nisën mjaft mirë takimin dhe kaluan në avantazh që në minutën e 10. Viktor Gyökeres ishte protagonist me një goditje spektakolare nga rreth 25 metra, duke realizuar një gol që i mungonte prej 206 ditësh në stadiumin e Arsenalit. Vendasit ruajtën epërsinë deri në pushim, ndërsa Declan Rice pati gjithashtu mundësi për të dyfishuar shifrat.
Në pjesën e dytë, Dortmundi reagoi dhe arriti të rikthehej në lojë me Maximilian Beier, i cili vendosi baraspeshën. Miqtë patën edhe një gol të anuluar për pozicion jashtë loje, ndërsa Arsenali shpërdoroi disa mundësi të mira për të rimarrë avantazhin. Rasti më i pastër i përket Gyökeres, i cili nga fare pranë portës dërgoi topin jashtë me kokë. Në fund, fati nuk ishte me asnjërën prej skuadrave, pasi topi u përplas në shtyllë në të dyja portat, me Rice që ishte pranë golit të fitores për londinezët.
Në këtë mënyrë, Arsenali duhet të kënaqet me një pikë, duke mbetur në vendin e pestë të renditjes, ndërsa humbet një mundësi të rëndësishme për t’iu afruar kualifikimit direkt në fazën tjetër.
Pas ndeshjes, trajneri Mikel Arteta vlerësoi paraqitjen e skuadrës, pavarësisht rezultatit zhgënjyes.
“Ishte një paraqitje fantastike. Duke marrë parasysh nivelin e kundërshtarit, jam shumë i kënaqur me mënyrën se si luajtëm. Megjithatë, duhej ta shpërblenim veten më shumë për rastet e krijuara. Nuk e di nëse bëhet fjalë për mentalitetin, por pati edhe shumë pafatësi, sepse është e pabesueshme se si disa prej atyre topave nuk përfunduan në rrjetë”, u shpreh ndër të tjera tekniku i “topçinjve”. Falë këtij barazimi Arsenal ngjitet në kuotën e 11 pikëve, ndërsa Dortmund me një pike më pak.
and then