Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, nga Foltorja e Kuvendit u ndal te pezullimi i fondeve IPARD për bujqësinë nga BE, ku u shpreh se është një skemë piramidale dhe damkë turpi.
Më tej, deputetja demokrate akuzoi ish-ministrin Arben Ahmetaj, se ka përdorur buxhetin e shtetit si bankomat.
“Sot Parlamenti duhet të diskutonte për rendin e ditës. Unë dua ta falënderoj përfaqësuesin e KLSH për gjetjet në kohë të raportit, që është bërë bazë për hetimin e SPAK. Raporti ka zbuluar që Ahmetaj dhe Veliaj kanë abuzuar me buxhetin e shtetit për inceneratorët.
Kolegët socialist kanë ndryshuar ligjin e koncesioneve për të mbrojtur Ahmetajn. Një shtet i tërë i ka dalë për zot tre personave në kërkim. Sot kushdo që vijon e nuk jep përgjigje, vijon bëhet pjesë e këtij krimi me buxhetin e shtetit. Sot po i dilni krah taksës së korrupsionit. Ish-zv.kryeministri arredonte shtëpitë me fondet e buxhetit të shtetit dhe e përdorte buxhetin si bankomat.
Në seancën e fundit të dhjetorit kam ngritur shqetësimin për fondet e IPARD për bujqësinë. Ajo që ka ndodhur dje është një damkë turpi mbi AZHBR-në. Ka cënuar rëndë imazhin. Unë nuk e di se për sa para akuzohet qeveria shqiptare. Si ka mundësi që është krijuar një skemë piramidale dhe qeveria nuk ka pasur informacion.
Shqipëria sot ka një damkë që është e vështirë të hiqet. Relativizimi nuk ndihmon askënd. Shqiptarët presin informacion se çfarë ka ndodhur me fondet e AZHBR-së”, është shprehur Tabaku.
()