Është përkujtuar sot 35-vjetori i varjes së poetit Havzi Nela. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë në ndër të poetit, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se ai ishte luftëtari lirisë dhe jo terrorist.
“Havzi Nela dhe ju të tjerët që jeni sot këtu, në një kohë të tillë, shumë të ngjashme, identike, burgu ishte i sigurt, por nëse tejkaloheshin edhe me fjalë, disa standarde që diktatura i dënonte me dënim kapital, kishte dhe dënim kapital. Në këtë kontekst, Havzi Nela ishte një gjeni i kurajës njerëzore. Në udhëtimin e një intelektuali mes konformizmit dhe qëndresës ai zgjodhi qëndresën dhe qëndroi i pamposhtur në çdo rrethanë.
Havzi Nela, është një simbol i ndritur, është një simbol nga më të arrirët në historinë e lirisë, të mendimit të lirë, dhe është një poet universal. Poetët, shkrimtarët kanë gjithmonë dimensionin e tyre universal. I gjithë dimensioni universal i Havzi Nelës ishte dinjiteti dhe liria e kombit, dinjiteti njerëzor. Ishte dhe Kosova. Në kohën e Havzi Nelës, Kosova ishte e ndaluar.
Unë linda dhe u rrita në Tropojë, por librat e mi flisnin për Mongolinë dhe për Kosovën, asnjë fjalë. E ndaluar, nuk kishte fjalë. Fatmirësisht që familjarët nga mëngjesi në darkë flisnin vetëm për Kosovën, por Kosova ishte e ndaluar. Havzi Nela i kushton asaj mijëra vargje. Në këtë kontekst ai është një simbol i ndritur, një tribun lirie, por edhe një simbol i ndritur i mendimit intelektual, fuqisë së poezisë. Elegjia e tij, ‘Ejani të vajtojmë Shqipërinë’ është një nga elegjitë më të bukura të letrave tona. E tillë është edhe ‘Saharaja’ e Vilson Blloshmit. Ajo që të bën përshtypje është se tek sinteza që i bëjnë, godasin me guxim dhe të dy e paguan me jetë, të gjitha aspektet e atij regjimi. Izolimin total, mungesën e lirive. Havzi Nela është gjeni guximi.”, tha Berisha.
()