Ndeshja e ligës spanjolle ndërmjet Mallorca-s dhe Cadiz-it që ishte planifikuar për këtë fundjavë (12 nëntor) është shtyrë pasi sulmuesi i Mallorca-s, Vedat Muriqi, u thirr në skuadrën e Kosovës për ndeshjen kundër Izraelit.
Takimi i La Liga ishte planifikuar të luhej të dielën, në të njëjtën ditë me ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian ndërmjet “Dardanëve” dhe Izraelit, e cila u riplanifikua muajin e kaluar për shkak të luftës Izrael-Hamas. Liga spanjolle i kërkoi Federatës së Futbollit të shtyjë ndeshjen pasi Mallorcës do i duhej të luante pa një nga futbollistët kryesorë.
Ky vendim ka lënë të pakënaqur Cadiz-in, me teknikun e skuadrës, Sergio Gonzales që u tregua i qartë në fjalët e tij. “Nuk jam dakord me kërkesën e Mallorca-s, ata kanë kërkuar të luajnë në një datë tjetër pa menduar për ne. La Liga dhe Mallorca kanë arritur një marrëveshje pa llogaritur palën e tretë” – Tha ai.
Muriqi numëron katër gola këtë sezon, ndërsa ekipi nuk po bën mirë këtë edicion, pasi ka regjistruar një seri prej shtatë ndeshjesh pa fitore në elitë.
(J.S/)