Ish-ambasadori Agim Nesho, i ftuar në studion e “Open” në News24 ka komentuar marrëveshjen e firmosur mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e dhjetëra mijëra emigrantëve ilegalë në dy kampe në territorin tonë.
Ai u shpreh kritik lidhur me këtë pakt, duke thënë se ky është një moment dramatik për popullin, pasi Italia ka kërkuar nga gjithë vendet e Mesdheut një “nder” të tillë, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar.
Nesho shtoi se kampi i emigrantëve është “bombë me sahat”, si për sigurinë ashtu edhe për problemet e ndryshimit të demografisë.
Sipas tij Rama mori rolin e “kavalierit” dhe u vetë ofrua të ndihmojë Melonin pasi kjo e fundit “u mërzit”.
“Ky është një moment dramatik për popullin. Ka kërkuar Meloni nga gjithë vendet e Mesdheut dhe nuk kanë pranuar. Kroacia ka ishuj pafund dhe nuk ka pranuar, sepse është një bombë me sahat, si për sigurinë, edhe për problemet e ndryshimit të demografisë.
Ka vende të tjera që nuk kanë pranuar edhe kur i kanë ofruar 1 miliardë euro si Tunizia. Ky shkon si kavalier dhe meqë u mërzit Meloni ky shkon ta ndihmojë. Ky vetë ofrohet. Është një pasiguri që po shkatërron vendin. Nesër i vjen Gjermania dhe i kërkon të mbajë mbetjet atomike, ky shkon dhe i merr e na helmon. Ky nuk mund të mbrohet. Sikur ka marrë përsipër të shkatërrojë vendin”, u shpreh ai.