Dy vitet e fundit, papunësia te të rinjtë është rritur, por të dhënat nga anketat e INSTAT tregojnë se punësimi te personat mbi 65 vjeç (pensionistët) po rritet ndjeshëm vitet e fundit.
Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, 18% e personave mbi 65 vjeç ishin të punësuar, niveli më i lartë që nga tremujori i tretë 2022.
Më 2023, shkalla e punësimit mbi moshën 65 vjeç ishte mesatarisht 16.3%, nga rreth 14.8% në vitin 2022.
Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm, punësimi i pensionistëve nisi të rritej pas vitit 2016, kur nisi fluksi i azilkërkuesve në Europë.
Më pas, rritja e punësimit në moshën e tretë nisi të forcohej pas pandemisë, kur flukset e emigrimit filluan të rriten sërish, duke lënë mangësi në tregun e punës.
Në njërën anë, hapësirat e lëna bosh nga të rinjtë në tregun e punës dhe në tjetrën pensionet e ulëta, po shtyjnë gjithnjë e më shumë pensionistët të punojnë.
Puna pas pensionit është e pranishme në të gjithë sektorët, madje edhe në sektorin publik.
Në qarqet e vendit, ende shumë pensionistë punojnë në sektorët e arsimit, shëndetësisë, etj., për shkak se nuk ka të rinj për t’i zëvendësuar.
Në të njëjtën periudhë, tregu i punës është bërë më pak tërheqës për të rinjtë.
Gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit 2023, sipas të dhënave nga Anketa e Forcës së Punës, ishin të punësuar mbi 253,5 mijë persona të moshës 15-29 vjeç, ose 21 mijë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Të dhëna të detajuara nga INSTAT tregojnë se punësimi në këtë kategori ra me -7.7%.
Me përjashtim të periudhës korrik-shtator, kur është kulmi i turizmit, në tre tremujorët e tretë, numri i të punësuarve të grupmoshës 15-29 vjeç erdhi në rënie.
Rënia e punësimit në moshat e reja u shoqërua me rritje jo të zakontë të punësimit të pensionistëve (grupmosha mbi 64 vjeç). Sipas INSTAT, punësimi në këtë grup pati një zgjerim vjetor me gati 50% në tremujorin e fundit të vitit 2023.
Gati 82 mijë persona mbi 64 vjeç ishin në punë në tetor-dhjetor 2023, nga 54,5 mijë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Të dhënat tregojnë se ishin punësuar mbi 27 mijë pensionistë më shumë se në tremujorin e fundit të vitit 2022.
Ka një tendencë vitet e fundit se kur bie punësimi i të rinjve ka më shumë të punësuar mes pensionistëve.
Punësimi i të rinjve po has në vështirësi vitet e fundit, duke reflektuar rikthimin e papunësisë, edhe pse tregu i punës ka shfaqur kërkesë të fortë, sidomos pas pandemisë./Monitor