“Moment krenaria dhe dinjiteti”, e konsideroi kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë dhe takimin që ai zhvilloi me diasporën shqiptare atje.
I ftuar në studion e News24 me moderatoren Nisida Tufa, Idrizi tha se fjalimi i kreut të qeverisë shqiptare ishte dinjitoz dhe i bëri shqiptarë të ndjehen të përfaqësuar, por sipas tij ky moment është i vonuar.
“Ka qenë një moment krenarie. Për një gol që bëri kombëtarja shqiptare ndaj Greqisë, atje janë vrarë njerëz. Duhet të kuptojmë se duhet të ulemi si njerëz të qytetëruar. Ishte një qëndrim dhe fjalim dinjitoz, i vonuar. I bëri shqiptarët që të ndihen të përfaqësuar. Ne i kemi emigrantëve shqiptarë në Greqi një borxh të madh. Fëmijët e tyre nuk mësojnë dot gjuhën shqipe, kanë probleme me pensionet, apo me dokumentet. Kanë 33 vite që kontribuojnë dhe nuk marrin pensione, por kemi heshtur. Më pëlqeu ajo që tha Rama; nuk ka gjë që njeriu të jetë më i nderuar se ky vend që të jesh kryeministër apo ministër i Jashtëm. Pastaj komentet; iku me makina dhe erdhi me autobusë, ka shumë që nuk duan të ngelen pa punë”, u shpreh kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi.