Kandidati i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ishte në një bisedë në studion e News24 me gazetaren Megi Latifi. Kapri tregoi për fushatën ndryshe nga të tjerët, duke u takuar me njerëz të thjeshtë.
Sipas Kaprit, kontrasti me partitë e tjera është integriteti dhe lidershipi, duke përmendur Agron Shehajn si model të sipërmarrjes, që ia ka dalë vetë dhe kjo është pasqyruar edhe tek kandidatët.
“E jona është fushatë moderne, ndryshe nga partitë e vjetra. Fushatë e kuruar dhe e thjeshtë. Kemi mundur të flasim me shumë njerëz për të treguar se mund të bëjmë ndryshimin. Nga politika njerëzit presin të çojnë më shumë të ardhura në familjet e tyre dhe ne këtë gjë premtojmë.
Ne kemi një lidership që ia ka dalë vetë dhe kjo është reflektuar edhe te kandidatët, që janë profesionistë dhe model zhvillimi. Nuk të pasuron Qeveria, por politikat dhe masat konkrete në zhvillimin e vendit.
Kontrasti ynë me të tjerët është integriteti, shumë prej tyre nuk e kanë këtë. Shumë presin radhën për t’u pasur. Jemi ndryshe edhe nga mentaliteti. Ne do të zvogëlojmë buxhetin për administratën. Ne jemi të vetmit që themi që ulim shpenzimet dhe taksat për biznesin. Shqipërinë e zhvillon sipërmarrja dhe jo qeveria.
Ne kemi shumë individualitete, vijnë nga sipërmarrja, por edhe nga gjinia jemi më lart, 50% janë gra. Në thelb ne kemi njerëz të lirë, që ofrojnë zgjidhje. Njerëzit të mos besojnë te Qeveria se do të zgjidhë problemet ekonomike me punësim administrate, ne do të krijojmë kushte që ata të përfitojnë nga krijimi i sipërmarrjeve të lira dhe me taksa të ulëta.
Janë 200 mijë punonjës në shtet, militantë, thjesht për vota. Ne nuk kemi policë e mjekë, por këta nuk shtohen. 10 vetë në një zyrë, por vetëm gjysma punon, gjysma marrin thjesht rrogat.
Arsimi dhe Shëndetësia nuk marrin as 10% e buxhetit, ka probleme që s’marrim zgjidhje. Me politikat tona ne synojmë ta çojmë pensionin në 300 euro, natyrisht duke mos abuzuar siç ndodh në sistemin aktual, sepse fondet janë. Roli i mësuesit është denigruar, të marrë rolin që i takon në shoqëri” – u shpreh ndër të tjera Erald Kapri.
()