Shehaj në Tiranë: Partia “Mundësia” përfaqëson njerëzit që duan t’ia dalin me punë të ndershme në Shqipëri

Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, në një takim me qytetarët e njësisë nr. 5 në Tiranë, deklaroi se vota për Partinë “Mundësia” është vota më me vlerë që shqiptarët kanë dhënë ndonjëherë në këto 34 vite.

Ai theksoi se kjo është e vetmja forcë politike që përfaqëson shumicën e heshtur të qytetarëve që duan t’ia dalin me punë të ndershme në Shqipëri.

Shehaj u shpreh se sistemi aktual politik dhe administrativ është ngritur për të shtypur qytetarët e ndershëm, ndërsa i bëri thirrje shqiptarëve të mos bien pre e propagandës që synon të frikësojë votuesit e partive të reja.

“Të gjithë ata që nuk duan ndryshimin, që janë në mbështetje të status quo-së, duan t’i mbushin mendjen qytetarëve që vota për partitë e reja shkon dëm dhe që do vidhet gjatë numërimit,” tha Shehaj.

Shehaj shtoi se Partia Mundësia është forca e vetme politike në vend që është tërësisht transparente përsa i përket financimeve.

“Nuk ka asnjë financues të fshehtë, asnjë derë që ushqehet me para të pista.

Ne jemi të vetmit që përfaqësojmë shqiptarët që duan t’ia dalin me punë të ndershme, të vetmit që ngrihemi çdo ditë për ta përfaqësuar këtë shumicë,” u shpreh ai.

Shehaj e përshkroi realitetin e qytetarëve të zakonshëm si një betejë të përditshme jo vetëm kundër varfërisë, por edhe kundër vetë shtetit.

“Jo vetëm që nuk kanë shtetin krah, por e kanë kundër. Kanë administratën kundër, kanë ministrat, deputetët, qeverinë. Duket sikur këta çdo mëngjes ngrihen me një qëllim të vetëm: t’ua nxijnë jetën qytetarëve dhe t’i ndalojnë të përparojnë me ndershmëri.”

Në përmbyllje, kreu i Partisë Mundësia theksoi se objektivi i tij është i qartë: t’i japë Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar dhe kjo, sipas tij, është një arritje e mundur.

“Ky është qëllimi ynë. T’i japim Shqipërisë më në fund një qeveri të pakorruptuar. Dhe kjo nuk është e pamundur,” përfundoi Shehaj.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook