Tre shtetas shqiptarë, të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale dhe bashkëpunëtorë të të shumëkërkuarit Talo Çela, janë arrestuar në Dubai si rezultat i një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe, të koordinuar nga Interpol Tirana. Arrestimet u kryen në kuadër të fazave të reja të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.
Të arrestuarit janë:
Ervis Daka, 38 vjeç, i cili akuzohet për vrasje me paramendim (në tentativë), sigurim kushtesh për të kryer vrasje, mbajtje pa leje armësh dhe përkrahje të autorit të krimit. Daka dyshohet se ka informuar autorët e një atentati ndaj shtetasit K. P., ka ndihmuar në përgatitjen e vrasjes së shtetasit A. S., dhe ka strehuar për një kohë të gjatë Talo Çelën.
Maksim Koçi, 39 vjeç, i akuzuar për vrasje me paramendim, sigurim kushtesh për vrasje, mbajtje pa leje armësh dhe përkrahje të autorit të krimit. Sipas autoriteteve, ai ka marrë pjesë në vrasjen e shtetasve K. K. dhe I. A., ka planifikuar atentate të tjera dhe ka ndihmuar Talo Çelën të fshihej.
Ado Xhika, 40 vjeç, i cili akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, pasi për rreth dy vite ka strehuar dhe ndihmuar Talo Çelën, madje ka ndërmjetësuar edhe një intervistë me një gazetar.
Të tre këta shtetas kishin masa sigurie të formës “arrest në burg” të vendosura nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) në vitin 2024 dhe janë të përfshirë në aktivitete të grupeve të strukturuara kriminale.