Bardhi akuzon Bashkinë e Fierit: 24 familje u përzunë nga shtëpitë për të ndërtuar pallate! Thirrje për hetim nga SPAK

Deputeti dhe kandidati i opozitës, Gazment Bardhi, ka denoncuar një skandal të rëndë në qytetin e Fierit, ku sipas tij 24 familje janë përzënë padrejtësisht nga banesat e tyre nga Bashkia, me pretekstin e një projekti për stadium lojërash me dorë – projekt që, siç rezulton më pas, nuk ekzistonte fare.

Në një postim publik, Bardhi shpjegon se që në mars të vitit 2018, familjet janë njoftuar për shembjen e shtëpive të tyre në kuadër të projektit të stadiumit. Megjithëse banorët kundërshtuan vendimin dhe procedurat e shpronësimit nuk ishin përfunduar, në qershor 2021, atyre iu dha ultimatumi për të liruar banesat brenda pesë ditësh. Deri në tetor 2023, gjashtë shtëpi u shembën, ndërsa të tjerat mbeten ende nën kërcënimin e prishjes.

Bardhi ka publikuar një fakt tronditës: Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka konfirmuar në dhjetor 2023 se nuk ekziston asnjë projekt i miratuar për stadiumin në fjalë. Kjo do të thotë se shembjet dhe dëbimi i banorëve janë bërë në mënyrë të paligjshme dhe abuzive, ndërsa zona po përgatitet për ndërtimin e pallateve në qendër të qytetit.

“Kjo është një aferë klasike e pushtetit lokal, ku prona publike dhe private përdoret për përfitime të një grushti njerëzish të lidhur me qeverinë. Disa nga këto familje sot jetojnë me qira, të tjera kanë braktisur Fierin”, – shkruan Bardhi, duke kërkuar hetim të plotë nga SPAK për rastin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.

Ai gjithashtu premton se pas zgjedhjeve të 11 majit, këto praktika do të ndalen dhe qytetarët do të kenë mbrojtje ligjore të garantuar për pronat dhe jetën e tyre.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook