Vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit, ngjarja që alarmoi fushatën në qarkun e Korçës ka marrë një kthesë të re.
Drejtoria Vendore e Policisë ka përfunduar verifikimet mbi akuzat për blerje votash ndaj kandidatit të PS-së, Arian Jaupllari, dhe ka konkluduar se nuk ka prova që mbështesin këto pretendime.
Hetimet nisën pas publikimit në rrjetet sociale nga kandidati i PD-së, Edmond Spaho, i dy videove në të cilat një i ri nga fshati Podgorie, Maliq, pretendonte se i ishin ofruar para në këmbim të votës. Videot shkaktuan reagime të menjëhershme politike, përfshirë një mohim publik nga Jaupllari dhe deklarata nga familjarët e të riut, që e cilësuan situatën si presion psikologjik dhe manipulim.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në përfundim të hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Korçës, është proceduar penalisht shtetasi A.P., 34 vjeç, banues në Podgorie, me precedent të mëparshëm penal për vepra në fushën e narkotikëve dhe dhunës.
A.P. rezulton të jetë personi që ka realizuar regjistrimin e videove dhe ka refuzuar të dorëzojë pajisjen me të cilën u krye regjistrimi për ekspertim, duke penguar hetimin. Ai akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Nga analiza e pamjeve dhe dëshmitë e mbledhura, policia konstaton se nuk ka elementë që vërtetojnë veprime të paligjshme të kandidatit për deputet të PS-së apo të personave të tjerë përfshirë në incident.
“Strukturat e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar zbatimin e ligjit dhe një proces zgjedhor të qetë dhe të ndershëm”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.
Njoftimi i Policisë Korçë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë porsa janë njohur me një postim në rrjetet sociale ku në dy video të postuara pretendohej se një kandidat për deputet i subjektit politik Partia Socialiste ka qene duke u ofruar shuma parash ne këmbim të votave banorëve të fshatit Podgorie-Maliq, menjëherë nisën punën për verifikimin e rastit.
Si rezultat i veprimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, proceduan penalisht për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, për shtetasin A. P, 34 vjeç, banues në Podgorie, Maliq, me precedent të mëparshëm kriminal dhe i dënuar për vepra penale në fushën prodhimit dhe shitjes së narkotikeve dhe të krimeve kundër personit.
Nga veprimet hetimore të kryera, kontrollet dhe deklarimet e marra shtetasve të cilët shfaqeshin në këto pamje dhe kandidatit për deputet shtetasit A.J, nuk u konstatua ndonjë veprim i kundraligjshëm që ka të bëjë me shitblerjen e votave.
Gjithashtu, nga analiza e pamjeve filmike dhe nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. P., ka qenë personi i cili ka kryer regjistrimin audio-video të shtetasit që shfaqet në ato pamje.
Shtetasi A. P., ka refuzuar vënien në dispozicion të Policisë me qëllim ekspertimin të pajisjes me të cilën ka kryer ketë regjistrim, duke u bërë shkak për pengimin e hetimeve të mëtejshme nga strukturat ligjzbatuese.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë garanton qytetarët dhe subjektet politike se strukturat e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për të zbatuar ligjin, parandaluar dhe goditur paligjshmëritë me qëllim krijimin e një ambienti akoma dhe më të sigurt.