Analisti politik Genc Burimi ka komentuar klimën politike në vend, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke e përshkruar garën si një përplasje finale mes dy figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të 34 viteve të fundit, Edi Rama dhe Sali Berisha.
Përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24, në ditën e fundit të fushatës elektorale, Burimi e cilësoi situatën si “përballja e fundit mes dy titanëve”, ku sipas tij, humbja është e papranueshme për të dyja palët.
“Kjo është përballja e fundit Rama-Berisha. Rama e di që nëse humb zgjedhjet, kundërshtari i ka premtuar burg, ndërsa Berisha ka kohën biologjike që bën punën e saj. Asnjëra palë nuk mund të pranojë humbjen,” – u shpreh Burimi.
Ai paralajmëroi se tensionet paszgjedhore mund të thellohen, sidomos nëse rezultati vihet në dyshim për shkak të akuzave për manipulim.
Burimi shtoi se edhe ndërkombëtarët, veçanërisht faktori amerikan, po ndjekin me vëmendje procesin dhe po ushtrojnë presion për ndëshkimin e çdo krimi zgjedhor.
“Faktori amerikan mund edhe të thotë se zgjedhjet janë të pandershme, kësaj i frikësohem unë. Opozita ka vënë theksin te krimi elektoral, duke nënkuptuar se nuk do t’i pranojnë zgjedhjet nëse humbasin.”