Në orën 19:00 është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në të gjithë vendin, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Sipas rregullores, votimi vijon në ato qendra ku ka patur ende qytetarë në pritje deri në orën 19:00.
3.713.761 qytetarët kishin të drejtën e votës sot në 5225 qendra votimi në të gjithë vendit. Prej tyre, 114.642 qytetarë ushtrojnë të drejtën e votës për herë të parë. Për herë të parë në një palë zgjedhje në Shqipëri votoi edhe diaspora. 246 mijë emigrantë u regjistruan në sistemin online të KQZ për të votuar në këto zgjedhje, ndërsa mësohet se rreth 200 mijë zarfe me votat e diasporës kanë mbërritur tanimë.
LIVE – News24 transmetim maratonë
ZHVILLIMET MINUTË PAS MINUTE
Ora 19:10 – Votimi vijon në disa qendra ku ka patur radhë qytetarësh
19:00 – Zgjedhjet parlamentare të 11 majit/ Mbyllet zyrtarisht orari i votimit. Policia do të marrë në ruajtje objektet ku do të numërohen votat
Është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Pas orës 19:00 shërbimet e policisë së shtetit do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.
Policia e shtetit ka njoftuar se për procesin zgjedhor janë angazhuar mbi 5 mijë efektivë policie. Nga ana e policisë janë vendosur të gjitha pikat e kontaktit për komisionerët e qendrave të votimit, koordinatorët KZAZ-të apo KQZ-ja në rast se kanë kërkesa për ndërhyrjen e policisë.
Në bashkëpunim me OSCE-në, KQZ-në dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, janë trajnuar 6838 punonjës police me uniformë, si dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, të cilët u angazhuan për hetimin e krimeve zgjedhore.
18:25 – Pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 18:00 kalon mbi 40 përqind
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat, sa i përket pjesëmarrjes në votime të qytetarëve deri në orën 18:00.
Bëhet me dije se deri në orën 18:00, kanë marrë pjesë në zgjedhje 40.9 përqind e qytetarëve.
Pjesëmarrja më e lartë është shënuar në qarkun e Dibrës, me 50.47 përqind të shtetasve me të drejtë vote, që kanë votuar.
Kukësi gjithashtu ka përqindje të lartë të votuesve, teksa kanë hedhur votën 47.26 përqind e qytetarëve. Edhe Tirana ka një përqindje të lartë të votuesve, me 45.26 përqind. Qarku me pjesëmarrjen më të ulët në votime është Vlora, me 30.65 përqind.
Komisioni Rregullator nuk ka shqyrtuar kërkesën e PS për shtyrjen e afatit të votimit në qarkun e Vlorës, duke lënë në fuqi orarin e caktuar sipas Kodit Zgjedhor.
Gazetari i News24, Ergys Gjençaj tha se dy anëtarët e Komisionit Rregullator, përfaqësues të opozitës Helga Vukaj dhe Muharrem Çakaj, janë shprehur se një vendimarrje e tillë nuk është kompentencë e Komisionit Rregullator dhe janë larguar nga mbledhja.
17:35- KQZ përditëson të dhënat! Deri në orën 17:00, votuan 38.75 përqind e zgjedhësve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat, sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje. Sipas të dhënave të fundit deri në orën 17:00, kanë votuar në total 38.75 përqind e qytetarëve me të drejtë vote.
Qarku me pjesëmarrjen më të lartë të qytetarëve në votime është Dibra, me 48.51 përqind. Me pjesëmarrje të lartë është edhe qarku i Tiranës, ku kanë votuar 42.57 përqind e zgjedhësve. Qarku me pjesëmarrjen më të ulët vijon të jetë Vlora, me 28.51 përqind.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka vizituar sot Prokurorinë e Fierit, duke theksuar rëndësinë e veçantë që mbart procesi zgjedhor i sotëm, veçanërisht pas çeljes së negociatave me BE-në.
Gonzato sqaroi se nuk po kryen vëzhgim formal zgjedhor, por është në terren për të parë nga afër mënyrën si po ecin zgjedhjet dhe bashkëpunimi mes institucioneve. Ai tha se ishte më herët në Durrës për shkak të informacionit mbi aktivitetin e bandave dhe u zhvendos në Fier për të ndjekur situatën nga afër. Sipas tij, marrëveshja për bashkëpunim institucional po funksionon mirë, ndërsa çdo incident do të hetohet nga institucionet përkatëse.
Ambasadori i BE, Silvio Gonzato në Prokurorinë e Fierit: Kjo është ditë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, në veçanti pas çeljes së negociatave. Unë sot nuk po bëj vëzhgim zgjedhor. Unë po shikoj sesi po ecin zgjedhjet. Zgjedhjet e sotme janë shumë të rëndësishme. ODIHR po vëzhgon zgjedhjet dhe ata më pas do japin gjetjet dhe rekomandimet e tyre. Sapo kam arritur në qarkun e Fierit. Unë doja të takohesha me SPAK, për të parë punën që po bëjnë. Po vëzhgoj sesi po ecën puna e bashkëpunimit mes institucioneve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Marrëveshja e bashkëpunimit institucional po ecën mirë. Incidentet do të hetohen nga institucionet e vendit. Erdha në Fier, që mos të mbetëm në Tiranë. Isha në Durrës isha, sepse kishte informacione për bandat, kishim informacione edhe për bandat në Fier dhe erdha këtu.
17:00 –Votimi në rang vendi, qarku me pjesëmarrjen më të madhe dhe atë më të ulët
Qarku i Dibrës ka pjesëmarrjen rekord për zgjedhjet e sotme (11 maj), ku të gjithë qytetarët i janë drejtuar qendrave të votimit prej orës 7 të mëngjesit.
Sipas të dhënave të përpunuara nga KQZ, deri në orën 16:00, në qarkun Dibër kanë votuar 45.06 përqind.
Ndërsa qarku me më pak interes për të dalë në votim është Vlora, 26.24 përqind.
Ndërkohë në rang kombëtar deri në orën 16:00 kanë votuar në total 37.10%.
Jo vetëm ata të votimit elektronik (mosha e tretë), por edhe personat me aftësi të kufizuar kanë hasur vështirësi gjatë procesit të votomit.
Në Yzberisht, te kontenierët e përshtatur si qendra votimi, qytetarët me aftësi të kufizuara kanë vështirësi për të votuar.
Nga pamjet që përcjell gazetari i News24, Renaldo Salianji, shihet se lëvizja me karrocat është e vështirë, nuk ka një rampë, por edhe brenda qendrës së votimit nuk ka hapësirë e duhur për të lëvizur personat me aftësi të kufizuar.
16:40 – Në Qarkun Korçë kanë votuar deri tani 66 670 zgjedhës ose 35,71%
Të ndara sipas bashkive:
Devoll – 8351
Kolonjë – 4406
Korçë – 22136
Maliq – 12877
Pogradec – 18040
Pustec – 860
16:30 Ambasadori i BE, Silvio Gonzato vizitë në Prokurorinë e Fierit
Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato ka mbërritur në Prokurorinë e Fierit. Gazetarja Klodiana Lala raporton se Gonzato ndodhet brenda Prokurorisë prej të paktën 30 minutash.
Më herët, kreu i delegacionit të BE ishte në Durrës ku ndoqi nga pranë procesin e votimit.
16:12: Pjesëmarrja në zgjedhje! Deri në orën 16:00, morën pjesë 35.92 përqind e qytetarëve me të drejtë vote
KQZ ka përditësuar të dhënat sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 16:00, kanë marrë pjesë në votim 35.92 përqind e zgjedhësve. Krahasuar me orën 15:00, kanë votuar edhe më shumë se 3 përqind e qytetarëve me të drejtë vote. Qarku që ka votuar më shumë është Dibra, me 45.1 përqind, ndërsa edhe qarku Tiranë ka pjesëmarrje të lartë me 39.77 përqind. Më ulët në pjesëmarrje në zgjedhje është Vlora, me 26.23 përqind.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat më të reja, sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet e 11 majit. Deri në orën 15:00, kanë votuar 33.11 e qytetarëve me të drejtë vote.
Në orën 14:00, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 30.46 përqind.
Qarqet me pjesëmarrjen më të lartë në zgjedhje janë Tirana, Dibra e Kukësi, ndërsa më pak votues ka në Vlorë e Shkodër.

15:04 – VIDEO/ Celibashi-thirrje qytetarëve: Ata që s’kanë lidhje me QV, të qëndrojnë larg
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë një thirrje të qartë për qytetarët dhe subjektet politike gjatë orëve të fundit të procesit të votimit. Ai paralajmëroi se kushdo që tenton të fotografojë votën do të përballet me pasoja ligjore, ndërsa theksoi se pranë Qendrave të Votimit (QV) nuk duhet të qëndrojnë persona që nuk kanë lidhje me procesin zgjedhor.
14:51 – Voton në ambientet e paraburgimit të Durrësit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ushtruar sot të drejtën e votës në ambientet e paraburgimit të Durrësit. Ai votoi në orarin e përcaktuar nga administrata e institucionit, në përputhje me rregullat dhe procedurat për votimin e personave që ndodhen në paraburgim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e fundit sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje. Deri në orën 14:00, rezulton se qarku Vlorë ka pjesëmarrjen më të ulët. Në Vlorë kanë votuar vetëm 21.39 përqind e qytetarëve me të drejtë vote. Nga të gjitha bashkitë e qarkut të Vlorës, pjesëmarrjen më të ulët e shënon Finiqi, ku kanë marrë në votim deri në orën 14:00 vetëm 12.32 përqind e qytetarëve me të drejtë vote.
Gazetari Enrik Mehmetaj raportoi për News24 se në pjesëmarrjen e ulët mund të ketë ndikuar edhe ‘Giro d’Italia’, event që ka bllokuar disa rrugë kryesore të qytetit bregdetar.
Në Qarkun e Shkodrës gjithashtu vërehet pjesëmarrje e ulët ku KQZ raporton se deri në orën 14.00 kanë votuar rreth 26%.
Qarqet e tjera me pjesëmarrje të ulët janë Durrësi me 27.8%, Gjirokastra 28.1%, Berati me 29.2% si dhe Korça me 29.6%.
Ndërkohë, qarqet me pjesëmarrjen më të lartë janë Tirana dhe Dibra. Në këto zgjedhje, Qarku i Tiranës shihet si surprizë ku deri në orën 14.00 pjesëmarrja vlerësohet në 34.89%. Në qarkun më të madh të vendit kanë votuar deri tani, sipas KQZ-së, 239 210 votues.
Edhe në Qarkun e Dibrës vërehet pjesëmarrje e lartë ku deri në orën 14.00 i janë drejtuar kutive të votimit 35.2% e zgjedhësve.
Sapo ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar edhe kreu i komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
Në një prononimcim për mediat ai u shpreh se kushdo që shkel ligjin do të mbahet përgjegjës nga institucionet përkatëse, ndërsa theksoi se edhe qytetarët duhet të kuptojnë që kanë përgjegjësi në lidhje me procesin zgjedhor.
“Mesazhi është i qartë për ata që ende nuk kanë votuar. Ata që janë në idenë që angazhimi i tyre mund të kontribuojë tej votës në proces, do të marrin përgjigje nga institucione përkatëse. Shumë e rëndësishme që jo vetëm politikanë por edhe qytetarët të kuptojnë që kanë përgjegjësi në lidhje me procesin zgjedhor”, tha ai.
14:00 – Zgjedhjet e 11 Majit/ Pjesëmarrja në votime deri në orën 14:00 kalon 29%
Sipas përditësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 14:00 pjesëmarrja në rang vendi është raportuar në 29.5%. Të dhënat janë mbledhur nga 1389 qendra votimi, nga gjithsej 5225 në të gjithë vendin. Në këto qendra, nga 930,271 zgjedhës në listat përkatëse, kanë votuar 119,697 persona.
12:49 – Zgjedhjet e 11 majit, ambasadori i BE, Silvio Gonzato viziton një qendër votimi në Durrës
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka mbërritur në Durrës për të ndjekur procesin zgjedhor të ditës së sotme.
Ai ka vizituar Qendrën e Votimit 14/94 në qytetin bregdetar.
Më herët edhe misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR i kryesuar nga ambasadori Lamberto Zannier ka zhvilluar një vizitë në një qendër votimi në Shqipëri.
12:00 – Pjesëmarrja në votime deri në orën 12:00 arrin rreth 22%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përditësoi të dhënat deri në orën 12:00. Pjesëmarrja në rang vendi është raportuar në 21.95%. Të dhënat janë mbledhur nga 1389 qendra votimi, nga gjithsej 5225 në të gjithë vendin.

Në këto qendra, nga 930,271 zgjedhës në listat përkatëse, kanë votuar 119,697 persona.
Kandidatja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka reaguar pas arrestimit të bashkëshortit të saj.
Në një postim në Facebook, Hoti akuzon ministrin Ulsi Manja dhe strukturat e Policisë së Shtetit se po veprojnë në shërbim të interesave politike.
“Asnjë polici politike, asnjë strukturë kriminale dhe asnjë zëdhënës i krimit të organizuar nuk do të mund ta ndalë vullnetin e qytetarëve për ndryshim. Ditët e frikësimit, fabrikimeve dhe shtypjes së zërit opozitar janë drejt fundit. Ulsi Manja dhe çdo vegël politike që përdor Policinë e Shtetit për interesa të pushtetit do të mbajnë përgjegjësi për çdo veprim të paligjshëm, për çdo tentativë për të frikësuar qytetarët që duan një të ardhme më të mirë.
Këto manovra janë të dështuara sepse fuqia e popullit nuk ndalet nga asnjë makineri represive.
Ata që blenë vota dhe shantazhuan, votuesit janë të lirë dhe po rendin nga qendra në qendër votimi, Aleksander Dodaj, Renuar Kolaj dhe të gjithë kriminelët elektoral, i keni bërë llogaritë gabim. Njëshat nuk ka regjim që i ndal. Qytetarë, mos harroni gjithçka ju kanë bërë këto 12 vite”, thuhet në reagim.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirja Celibashi po mban një konferencë për mediat, të parën e ditës së sotme.
“Nuk kemi asnjë qendër të pahapur apo bllokuar. 8 përqind e qendrave u hapën me vonesë ndërmjet orës 07:00 – 08-00.
5% e qendrave ka pasur kuorum prej 4 anëtarësh por nuk kanë qenë të pranishëm të 7 anëtarët.
Në të gjithë qendrat ka pasur vëzhgues, qoftë të partive politike apo të tjerë.
5% e qendrave ka pasur tensione mes anëtarëve të komisionit, pretendime për grumbullim personash, ka ndërhyrë KQZ dhe situata është stabilizuar.
21% të rasteve të personave me aftësi të kufizuara nuk janë asistuar sipas ligjit.
6% e qendrave ka pasur ndërprerje të procesit për shkak të arsyeve logjistike por çështjet janë zgjidhur.
5% kemi mos respektim të distancës prej 150 metra të personave, rast i para 40 e pak minutash”, tha ai.
10:55 – Zgjedhjet e 11 Majit/ Pjesëmarrja në votime deri në orën 10:00 arrin mbi 13%
Sot, më 11 maj, qytetarët shqiptarë votojnë për përbërjen e re të Parlamentit. Mbi 3.7 milionë shtetas kanë të drejtë vote në këto zgjedhje.
Sipas përditësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 10:00 pjesëmarrja në rang vendi është raportuar në 13.15%. Të dhënat janë mbledhur nga 1389 qendra votimi, nga gjithsej 5225 në të gjithë vendin.

Në këto qendra, nga 930,271 zgjedhës në listat përkatëse, kanë votuar 119,697 persona.
Në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, ku në të njëjtën orë pjesëmarrja kishte arritur 16.66%, niveli i pjesëmarrjes deri tani është dukshëm më i ulët.
Kryeministri i Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka votuar paraditen e sotme në qendrën e votimit në Surrel. Rama ishte i shoqëruar nga bashkëshortja, Linda Rama. “Sot është fjala e popullit! Të presim çfarë do të thotë populli”, ka deklaruar ai në një prononcim të shkurtër për mediat.
Pak më parë kreu i PD Sali Berisha ka votuar në “Liceun Artistik”. Në një prononcim për mediat ai u bëri thirrje shqiptarëve të dalin masivisht në votime. “Së pari një thirrje zemre për çdo qytetar shqiptar, sot të votojnë, të votojnë, të votojnë për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për pensionet dhe rrogat e tyre, për punën, punësimin, biznesin, fermën e tyre.
Të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre në këtë vend.
Të votojnë!
Unë, meqë më pyet, çdo njeri që takova, unë takova njerëz të gëzuar, të sigurt në votën e tyre.
Pra, do të kemi një ditë të dytë vere.
Ndaj dhe njëherë thirrja ime, votoni, votoni, votoni!”, tha ai.
9:56 – Kreu i SPAK, Altin Dumani voton në kryeqytet: Do komunikoj pas zgjedhjeve
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka ushtruar të drejtën e votës paraditen e sotme, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.
I pyetur nga gazetarët lidhur me strategjinë e hetimeve për zgjedhjet, Dumani u përgjigj shkurtimisht: “Do kemi komunikim pas zgjedhjeve.”
“PD-ASHM” kanë denoncuar raste të mungesës së trimbosjes së gishtit apo kur boja është fshirë.
Në një reagim dërguar KQZ-së, kërkohet marrjen e masave të menjëhershme që për çdo zgjedhës të kryhet timbrosja, si dhe lënda e posaçme e timbrit të jetë e atillë që nuk kryhet fshirja e saj për jo më pak se 24 orë.
9:33 Risia e Zgjedhjeve 2025/ Vota e diasporës, 181.609 zarfe të mbërritura në KQZ
Për herë të parë në këto zgjedhje parlamentare votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Procesi i votimit jashtë vendit ka nisur rreth një muaj më parë, ndërsa ende vijnë zarfe me fletë votimi nga jashtë vendit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri sot në orën 07:38, kanë mbërritur 181,609 zarfe me fletë votimi.
Në total janë 245 935 zarfe të dërguara, nga të cilat janë marrë nga zgjedhësit 227 609 zarfe me fletë votimi. 18 326 zarfe me fletë votimi nuk janë tërhequr nga zgjedhësit të cilët ishin regjistruar në Platformën Elektronike të Votimit për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Sipas KQZ, 2502 zarfe janë te kutia e posaçme.
Numrin më të lartë të kthimeve e mban Italia me 71 273, ndjekur më pas nga Greqia 45 560, më pas Gjermania. Sipas qarqeve, kryeson Tirana me 40 250 zarfe, Fieri 24 328, Durrës 19 033.
Çdo votë që mbërrin në Shqipëri sot pas orës 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka ushtruar të drejtën e saj për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Edit Durham” në Tiranë.
E shoqëruar nga e ëma dhe djali i saj, Besar Meta, Kryemadhi ka dalë publikisht për të votuar, ndonëse nuk është kandidate për deputete në këto zgjedhje. Ajo ka shprehur më herët mbështetjen për ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta, aktualisht në qeli.
09:27 – Zgjedhjet e 11 Majit, Berisha me mesazh për mbështetësit: Mirëmëngjes njisha, jeni gati?
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zgjedhur rrjetet sociale për t’u drejtuar mbështetësve të tij në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit.
Në një postim të shkurtër në Facebook, Berisha shkruan: “Mirëmëngjes njisha, jeni gati?”, një mesazh që duket se synon të motivojë votuesit demokratë për pjesëmarrje masive në votim.
Zgjedhjet po zhvillohen në të gjithë territorin e Shqipërisë, ku qytetarët votojnë për përbërjen e re të Kuvendit.
Sot, më 11 maj, Shqipëria i drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur Parlamentin e ri. Mbi 3.7 milionë qytetarë kanë të drejtë vote.
Sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime deri tani në rang vendi ka arritur në 1.93%.
09:05 – Zgjedhjet e 11 majit/ Kreu i “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj voton në Tiranë
Kryetari i Koalicionit “Nisma Shqipëria Behet”, Adriatik Lapaj, ka ushtruar të drejtën e tij të votës sot në zgjedhjet e 11 majit.
Lapaj ka votuar në Shkollën e Mesme Ekonomike, e cila ndodhet në rrugën “Myrtezim Këlliçi” në Tiranë.
Ish deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka votuar nga burgu i Fierit. Në një prononcim për mediat nga brenda ambienteve të burgut, ai ka bërë thirrje për pjesëmarrja masive në votime, një nga mënyrat sipas tij për të shëruar Shqipërinë.
“Vota ka vlerë njësoj si nga burgu edhe jashtë. Kufizimi që më është bërë jo vetëm fizik duke më marrë peng apo burgosur, të jep një ndjesi lidhjeje me zinxhirë.
Rastisi që PD është numri 1 dhe unë jam votuesi i parë. Siç duket, do të ketë një votë masive për PD. Të investojmë për një Shqipëri Europiane, që është e kundërta e Shqipërisë që ka ndërtuar Edi Rama. Nëse BE ka demokraci Rama ka autokraci. Në BE ka meritokraci, Shqipëria ka nepotizëm.
Nëse në BE sundon ligji këtu sundon Rama dhe banditët rrotull tij. Thirrja është ta dalim masivisht në votimi, masiviteti dhe pjesëmarrja mund të bëjnë të mundur të tejkalojmë çdo tentativë për intimidim. Mbi 90 përqind e të burgosurve votojnë për qeverinë dhe kjo tregon edhe për nivelin e demokracisë në vendin tonë”, tha mes të tjerash ai.
Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka votuar pak momente më parë në Qendrën e Votimit të Qendrës Nr. 13 në Tiranë. Ai ka qenë i shoqëruar nga vajza e tij, Dafina, e cila votoi për herë të parë.
Në një prononcim për mediat, Basha ka përçuar një mesazh për qytetarët shqiptarë, veçanërisht për të rinjtë. Ai ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje si një e drejtë të çmuar dhe një mundësi për të formuar të ardhmen e vendit.
“Uroj një ditë të paqtë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Të drejtohen në kutitë e votimit për të ushtruar të drejtën e tyre, për të zgjedhur qeverinë, parlamentin dhe deputetët që do t’i përfaqësojnë. Kam këtë ftesë veçanërisht për brezin e ri, kur edhe vajza ime e madhe, Dafina, voton për herë të parë. Sot keni një të drejtë të çmuar, dilni nga shtëpitë dhe votoni për të ardhmen tuaj. Besoni te Shqipëria, vetja juaj dhe te e ardhmja,” u shpreh Basha.
Në një qendër votimi në Bradashesh në Elbasan janë raportuar disa raste të votimit familjar.
Në pamjet e siguruar nga shihet se ky nuk është një rast i izoluar, por të shumta kanë qenë qytetarët që kanë proceduar në këtë mënyrë.
Komisionerët deklarojnë se kjo mënyrë votimi është lejuar pasi ka pasur raste të pamundësisë fizike, me persona që nuk shohin apo dëgjojnë.
Sipas ligjit, në momentin që dikush ka problematika dhe kërkon një shoqërues, kjo duhet të vërtetohet me anë të dokumentacionit.
Gjithashtu problematike është edhe vendosja e dhomës së fshehtë ku plotësohet fleta e votimit.
Mënyra e vendosjes së tyre nuk garanton fshehtësinë e votës pasi kuptohet lehtë se për parti apo kandidat voton qytetari.
08:49 – Finiq/ Probleme në Kardhikaq dhe Gravë, procesi zgjedhor nuk ka nisur për shkak të mos-tërheqjes së materialeve zgjedhore
Në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, janë shfaqur probleme të rëndësishme në dy fshatra të Bashkisë Finiq, Kardhikaq dhe Gravë, ku procesi zgjedhor nuk ka nisur për shkak të mos tërheqjes së materialeve zgjedhore.
Situata ka ndodhur në Komisionin Zonal të Administratës Zgjedhore (KZAZ) 92.
Për shkak të kësaj vonese, procesi zgjedhor është bllokuar dhe ende nuk ka filluar, duke krijuar shqetësime për votuesit e atyre zonave.
Situata po hetohet nga autoritetet, ku një oficer i policisë gjyqësore është dërguar për të marrë në dorëzim materialet zgjedhore dhe për të referuar ngjarjen për ndjekje penale ndaj komisionerëve që nuk janë paraqitur në detyrë.
Ladi Ndoja, bashkëshorti i kandidates së PD, Elda Hoti është arrestuar, pas një incidenti të ndodhur në Rrëshen.
Së bashku me të është arrestuar edhe Amarildo Jushi.
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 10.05.2025, rreth orës 20:20, këta shtetas me dy automjetet e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga shtetasi R. K., 46 vjeç (drejtues automjeti) dhe A. D. (pasagjer), të dy banues në Rrëshen, me pretendimin se këta shtetas po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave.
08:42 – Radhë në një QV në Tiranë, një qytetar kërkon ndihmë për të votuar pasi ka probleme me shikimin. Komisioni: Nuk është në kompetencën tonë!
Radhë janë krijuar në qendrën e votimin në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” në kryeqytet.
Një nga qytetarët ka kërkuar ndihmë pasi ka probleme me shikimin.
Një ndihmë e tillë nuk i është ofruar, pasi anëtarët e komisionit deklarojnë se një gjë e tillë nukë shtë brenda kompetencave të tyre.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë një thirrje të prerë këtë 11 maj, ditën e zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, duke reaguar ndaj raportimeve nga terreni se disa kandidatë për deputet kanë tentuar të hyjnë në qendrat e votimit.
Celibashi theksoi se prania e kandidatëve në Qendrat e Votimit është rreptësisht e ndaluar nga Kodi Zgjedhor dhe përbën një shkelje të qartë të ligjit.
“Kandidatët duhet të respektojnë me rigorizitet këtë ndalim ligjor. Ata dhe përfaqësuesit e tjerë politikë duhet të jenë të parët që kontribuojnë për integritetin e procesit zgjedhor,” u shpreh kreu i KQZ-së në një njoftim zyrtar.
KSHZ Ilirjan Celibashi: KQZ ka marrë raportime nga terreni që kandidatë për deputet kanë kërkuar të futen në qendrat e votimit. Bëjmë me dije se është qartësisht e ndaluar nga Kodi Zgjedhor prania e kandidatëve në Qendrat e Votimit.
Kandidatët duhet të respektojnë me rigorizitet këtë ndalim ligjor.
Ata dhe përfaqësuesit e tjerë politik, duhet të jenë të parët që duhet të kontribuojnë për integritetin e procesit zgjedhor.
08:37 – Zgjedhjet/ Nga Rama te Berisha, Meta dhe të tjerët, ja kur do të votojnë liderët politikë sot
Në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme që po mbahen sot, më 11 maj, në të gjithë Shqipërinë, pritet që liderët kryesorë të forcave politike në vend të ushtrojnë të drejtën e votës gjatë orëve në vijim.
Kryeministri Edi Rama pritet të votojë në zonën e Surrelit, rreth orës 10:30, ndërsa kreu i PD Sali Berisha do të votojë në shkollën “Kosova” në Tiranë rreth orës 10:00.
Në orën 09:15, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, do të hedhë votën në shkollën “Emin Duraku”, në Njësinë 5 të Tiranës. Më pas, në orën 10:00, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, do të votojë në ambientet e IEVP “Jordan Misja”.
Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, do të votojë në orën 08:30, pranë Çerdhes nr. 13 në Njësinë 8, në rrugën Demir Gashi. Po në të njëjtën orë, kandidati i pavarur Adriatik Lapaj do të votojë në Shkollën e Mesme Ekonomike, në rrugën ‘Myrtezim Këlliçi’.
Gjithashtu, në orën 11:00, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, së bashku me bashkëshorten e tij, do të ushtrojnë të drejtën e votës në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”, në Njësinë 5 në Tiranë.
08:20 – Zgjedhjet e 11 Majit/ Kryeministri Rama mesazh qytetarëve: Sot është Dita e Shqipërisë, votoni!
Shqiptarët po votojnë sot në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, që po zhvillohen në të gjitha qarqet e vendit.
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh përmes rrjeteve sociale në nisje të kësaj dite të rëndësishme për vendin.
“MIRËMËNGJES. Sot është Dita e Shqipërisë. Shqiptarët kanë në dorë të ardhmen e tyre. Votoni”, shkroi Rama në Facebook, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në votime.
08:20 – Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, e para lidere politike që voton: Sot është dita e Shqipërisë, të tregojmë që jemi evropianë
Shqipëria po zhvillon sot zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, me pjesëmarrjen e qytetarëve në të gjitha 12 qarqet e vendit.
Së bashku me ta, edhe liderët politikë kanë nisur procesin e votimit.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ishte e para përfaqësuese politike që votoi këtë mëngjes.
Ajo ushtroi të drejtën e saj në Qendrën e Votimit pranë Parkut Olimpik në Tiranë, duke dhënë një mesazh simbolik për rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin demokratik.
“Faleminderit juve që keni dalë herët për të pasqyruar këtë ditë të demokracisë. Sot është dita e qytetarëve, kombit, shtetit, Shqipërisë. Të gjithë të votojnë sot me qytetari, siç është zhvilluar fushata. Të tregojmë që jemi evropianë. Urime të gjithëve dhe sa më shumë të votojnë për Shqipërinë, aq më shumë përgjegjësi qytetare tregojmë dhe aq më e mirë është e ardhmja jonë”, u shpreh Spiropali para gazetarëve.
08:14 – Shqipëria Zgjedh/ Ende nuk ka nisur procesi në zonat malore të qarkut Shkodër, shkak mungesa e komisionerëve. Ndërpritet energjia elektrike në një QV
Në qarkun e Shkodrës, në zonat e thella malore të Dukagjinit, Kelmendit, Pukës dhe Fushë-Arrëzit, ende nuk ka nisur procesi i votimit.
Gazetari Armir Mehaj raporton se komisionerët në disa qendra votimi ende nuk kanë mbërritur.
Një tjetër problematikë ka vonuar nisjen e procesit në QV në Bruçaj, ku është ndërprerë energjia elektrike.
Për shkak të largësisë dhe terrenit të vështirë, procesi zgjedhor ka nisur gjithmonë me vonesë në këto zona.
08:12 – Nga mungesa e komisionerëve te ngatërresat/ Probleme në disa qendra votimi në Qarkun e Elbasanit
Sot në Shqipëri po mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku qytetarët në të 12 qarqet po ushtrojnë të drejtën e votës. Në Qarkun e Elbasanit janë shënuar disa problematika të natyrës teknike dhe organizative.
Në Librazhd, është raportuar një ngatërrim i kapakut të kutisë së votimit mes dy qendrave, çka ka sjellë ndërprerje të përkohshme të procesit.
Në burgjet e qarkut, janë hapur qendra të posaçme votimi, si në:
-Burgun e Kosovës, ku votimi po zhvillohet në Qendrën nr. 2556.01, KZAZ nr. 46, Bashkia Belsh.
-IEVP Peqin, ku nga 106 të parashikuar për të votuar, kanë votuar 85 të burgosur. Më shumë se 100 të dënuar nuk kanë të drejtë vote për shkak të veprave të rënda penale.
-IEVP Elbasan, ku janë regjistruar 141 votues.
Ndërkohë, në qytetin e Peqinit janë shënuar vonesa në hapjen e disa qendrave votimi për shkak të mbërritjes së vonuar të komisionerëve.
Në Gramsh, deri në orën 08:00 nuk ishin paraqitur komisionerët e subjektit politik PSD, ndërsa në lagjen “Skënderbej” në Elbasan, mungesa e përfaqësuesve të të njëjtit subjekt ka krijuar boshllëk në komisionet e disa qendrave.
07:59 – Zgjedhjet e 11 Majit/ Vëzhguesit e OSBE-ODIHR monitorojnë procesin në një QV në Berat
Sot, më 11 maj, qytetarët në të gjithë Shqipërinë po ushtrojnë të drejtën e votës në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, të cilat po zhvillohen në 12 qarqe të vendit.
Në qytetin e Beratit, përfaqësues të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR kanë monitoruar procesin zgjedhor në ambientet e Gjimnazit “Babë Dudë Karbunara”, i cili përmban pesë qendra votimi.
Pas përfundimit të vëzhgimit, vëzhguesit janë larguar, pa raportuar ndonjë problematikë.
07:48 – Shqipëria zgjedh/ Nis procesi në qarkun e Korçës, për herë të parë votohet nga burgu i grave në Pojskë
Janë hapur të gjitha qendrat e votimit në qarkun e Korçës.
Gazetarja Lorena Kodra bën me dije se ky qark do të përfaqësohet me 10 deputetë, një më pak se zakonisht, ndërsa votimi është organizuar në 7 KZAZ.
17 mijë zgjedhës më pak do t’i drejtohen sot kutive të votimit.
Në burgun e Drencovës është ngritur një qendër e posaçme votimi sipas vendimit të KQZ. Në lista me të drejtë vote janë 220 persona.
Ndërkohë që për herë të parë do të votojnë edhe nga burgu i grave në Pojskë. Janë gjithsej 36 gra me të drejtë vote, ndërsa nuk është ngritur qendër e posaçme, por votueset do të shoqërohen nga forcat e policisë në qendrën më të afërt në Piskupat.
07:44 – E pazakontë në Vlorë/ Vonesë në hapjen e qendrës së votimit, kryetari i komisionit humb mamanë dhe nuk paraqitet
Sot, më 11 maj, qytetarët shqiptarë votojnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të shpërndara në 12 qarqe të vendit. Ndërsa procesi ka nisur në pjesën më të madhe të qendrave të votimit, një incident i pazakontë është shënuar në Vlorë.
Në qendrën e votimit nr. 44/71/2, votimi nuk ka nisur ende për shkak të mungesës së komisionerëve. Dy prej tyre janë larguar për arsye familjare, ndërsa raportohet se kryetari i komisionit nuk ka qenë i pranishëm pasi ka humbur mamanë, një ngjarje që ka ndikuar në mosfunksionimin e qendrës.
07:28 – Zgjedhjet e 11 Majit nisin me probleme teknike në Lezhë, vonesa në një qendër votimi
Sot në Shqipëri po zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit, ku qytetarët votojnë në 12 qarqe të vendit. Procesi ka nisur në pjesën më të madhe të vendit, por jo pa probleme.
Në qarkun e Lezhës, në një nga qendrat e votimit është raportuar një vonesë në nisjen e procesit. Shkak është bërë një pajisje teknologjike e operatorit, e cila nuk ka funksionuar siç duhet, duke krijuar radhë dhe pritje për qytetarët që kanë mbërritur për të votuar.
Komisionerët në vendngjarje po përpiqen të zgjidhin problemin teknik për të vijuar normalisht procesin zgjedhor.
Ndërkohë, në pjesën tjetër të vendit, procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente të mëdha deri në këto momente.
07:19 – Probleme në një qendër votimi në Fier, procesi nuk ka nisur ende, shkak mungesa e kolaudimi i pajisjes së identifikimit
Ndërkohë që procesi i votimit ka nisur thuajse në të gjithë vendit, probleme raportohen në një qendër votimi në Fier.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se kanë mbërritur qytetarët e parë, por votimi nuk ka nisur ende pasi po pritet kolaudimi i pajisjes së identifikimit.
Anëtarët e komisionit janë të ulur në vendet përkatëse dhe pritet nisja e procesit të votimit.
Në lidhje me këtë problematikë është njoftuar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
07:04 – Shqipëria zgjedh sot/ Nis zyrtarisht procesi i votimit në të gjitha qarqet, votojnë qytetarët e parë
Nis maratona zgjedhore në News24.
Në 72 orët në vijim do të ketë një transmetim live, që vijon gjatë të gjithë ditës së sotme deri në mbylljen e qendrave të votimit, për të vijuar më pas edhe procesin e numërimit.
Gazetari Osman Stafa po raporton nga kryeqyteti, në Liceun Artistik ku ndodhen 6 qendra votimi.
Jashtë godinës kanë qenë disa qytetarë të cilët prisnin që të votonin edhe përpara se të shkonte ora 07:00.
Në zgjedhjet e 11-ta parlamentare që prej vitit 1991, të drejtën e votës sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme, e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, nga të cilët 114,642 të rinj do të votojnë për herë të parë.
Gjithashtu, edhe 3 027 persona, të dënuar dhe të paraburgosur pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në 21 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale.
06:58 – PD pretendon se qëlloi me armë zjarri dhe tentoi blerje votash, arrestohet oficeri i policisë në Dibër, baba i kandidatit të PS Daniel Gjura
E tensionuar ka qenë situata mbrëmjen e djeshme në Dibër, ku një incident ka ndodhur mes grupeve të PS dhe PD.
Pas denoncimit të PD për një mjet që transportonte para dhe tollona nafte, forca të shumta policie rrethuan automjetin dhe kryen kontrolle
Gazetarja Klodiana Lala raporton se u arrestua Esat Gjura, oficer policie, i cili është edhe babai u kandidatit për deputet të PS, Daniel
Gjura.
Partia Demokratike pretendon se Esat Gjura qëlloi me arme në fshatin Pilafe, ndërsa tentonte blerjen e votave.
()