Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pogradec gjatë ditës së sotme, ku tensionet pranë një qendre votimi kanë përfunduar me dhunë ndaj familjarëve të një komisioneri zgjedhor. Policia e Shtetit ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim katër të tjerë, të dyshuar për përfshirje në incidentin e dhunshëm.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Korçës, pas incidentit të mëparshëm ku komisioneri E. G. u dhunua nga shtetasi L. T. në qendrën e votimit nr. 3901, hetimet janë zgjeruar dhe kanë zbuluar se edhe djali dhe bashkëshortja e komisionerit janë dhunuar pranë banesës së tyre.
Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar në flagrancë shtetasi A. T., 23 vjeç dhe shtetasi R. T., 58 vjeç, të cilët akuzohen për veprat penale “Goditja ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim edhe shtetasit D. M., 30 vjeç, E. M., 35 vjeç, R. T., 37 vjeç dhe L. K., 34 vjeç. Sipas hetimeve, këta persona dyshohet se rreth orës 13:00 kanë shkuar në afërsi të banesës së komisionerit E. G., 52 vjeç, dhe kanë ushtruar dhunë ndaj djalit dhe bashkëshortes së tij.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë sot ku në qendrën e votimit nr.3901, shtetasi L. T., tashmë i arrestuar nga Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, dhunoi fizikisht komisionerin shtetasin E. G, ju informojmë se:
Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë kanë vijuar hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në dhunimin e djalit dhe të bashkëshortes së komisionerit E.G, i cili u dhunua nga shtetasi L.T
Si rezultat i hetimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A. T., 23 vjeç, dhe R. T., 58 vjeç, banues në Pogradec për veprat penale ” Goditja ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasit D. M., 30 vjeç, E. M., 35 vjeç, R. T., 37 vjeç, si dhe L. K., 34 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas rreth orës 13:00, kanë shkuar në afërsi të banesës së komisionerit shtetasit E. G., 52 vjeç, dhe kanë dhunuar djalin dhe bashkëshorten e tij
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe kapjen dhe shoqërimin e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.