Dita e titullit, Vllaznia dhe Egnatia për lavdi dhe cikël

Puna dhe zgjedhjet janë gjërat më të rëndësishme të kësaj të hëne, por më e bukura është Vllaznia-Egnatia. Ora 20:00, në “Arenën Kombëtare” luhet finalja e madhe e Superiores, ku do të përcaktohet titulli kampion. Dy skuadrat që e mbyllën në dy vendet e para pas 36 javësh, përballen edhe një herë të fundit në betejën më të rëndësishme në historinë e sfidave mes tyre.

Dy ekipe me stile të ndryshme, me trajnerë strategë dhe me lojtarë që bëjnë diferencën.

INDIVIDËT – Loja e futbollit luhet në grup, por ndryshimin e bëjnë individët. Në betejën e sotme, lojtarët e spikatur nuk mungojnë aspak, madje në fushë do të jenë dy golashënuesit më të mirë të Superiores së këtij sezoni, Bekim Balaj me 19 gola dhe Regi Lushkja me 14 rrjeta të tundura. Kjo dyshe janë lojtarët ku edhe do të përqendrohen manovrat e të dyja skuadrave dhe nga të cilët do të pritet më së shumti për zgjidhjen e ndeshjes.

LAVDIA “E HUMBUR” – Në Shkodër kërkojnë lavdinë “e humbur” prej plot 24 vitesh. Kaq numërojnë në Shkodër pa festuar një titull kampion, me kalendarin që e ka “orën” në vitin 2001. Për një tifozeri aq fanatike dhe aq të marrosur pas futbollit, kaq vite janë sa një shekull. Ky do të jetë motivi që ata djem të lënë shpirtin në fushë sot.

CIKËL – Egnatia e fitoi titullin vetëm vjet, por nuk e pengon asgjë të synojë ndërtimin e një cikli suksesesh, siç bënte Skënderbeu në vitet e fundit. Misioni është shumë i vështirë, por fitorja e sotme do t’i jepte një hov të madh jo vetëm sportiv, por edhe financiar.

DY REALITETE – Në mbrëmje ndeshen dy qytete të ndryshme, me një të përbashkët: të gjithë, i madh e vogël, e dashurojnë futbollin. Shkodra ka traditë, vend me tifozeri të madhe, por që në vitet e fundit duket sikur e ka humbur “esencën”. Sot janë më afër se kurrë në më shumë se dy dekada që të rikthejnë “nderin” në vend. Në Rrogozhinë situata është ndryshe. Qytet shumë më i vogël se Shkodra, me skuadër modeste deri para pak vitesh. Por në harkun e pak viteve presidenca e re arriti ta ngjisë klubin në nivele të rëndësishme dhe vjet bëri atë që në Shkodër e ëndërrojnë aq shumë, fitoi titullin kampion. Tifozë nuk ka shumë, por i ka fisnikë dhe sakrifikues.

SULM VS MBROJTJE – Në fushën e stadiumit më të madh në vend sot ndeshen mbrojtja më “e hekurt” dhe sulmi më “i frikshëm”. Kur flasim për mbrojtjen, e kemi fjalën për Egnatian (30 gola të pësuar), një skuadër me një stil loje shumë “fanatik”, që ndoshta nuk ka sulm brilant, por golin vështirë se e pëson. Duhet thënë se mesfusha rrogozhinase është kyçi i ekipit të Edlir Tetovës. Është “fabrika” e golave, por edhe “rrjeta” e vendosur para mbrojtësve për të “filtruar” sa më shumë sulme të kundërshtarëve. Nga ana tjetër, është Vllaznia, me lojtarët sulmues më të spikatur në vend. Flasim për emra, si Balaj, Mala apo i riu Dodaj, që kanë treguar cilësi të jashtëzakonshme për nivelet e futbollit shqiptar dhe janë rrezik konstant për çdo mbrojtje. Në difensivë, shkodranët duhet të jenë me patjetër më stabël, në rast se kërkojnë të fitojnë titullin kampion.

MILIONAT – Luhet për lavdinë, për qytetin, për titullin, por edhe për paranë. Fituesi i titullit ka të sigurta të paktën 1.1 milionë euro dhe kjo shifër për realitetin e futbollit shqiptar është tejet e konsiderueshme. Është një ndeshje që do të tregojë shumë edhe për të ardhmen e dy klubeve dhe vijimësinë që mund të kenë në investime.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook