Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar raportin paraprak të OSBE-ODIHR dhe vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të 11 majit.
Sipas Kumes, raporti nuk përfaqëson vetëm qëndrimin e OSBE-ODIHR, por përfshin edhe konstatimet e delegacionit të Parlamentit Evropian dhe të tjerë që ndoqën procesin. Ai vuri në dukje se vëzhguesit përdorin një metodologji të njëjtë dhe një gjuhë të unifikuar në çdo vend ku operojnë.
Megjithatë, Kume theksoi me kriticizëm se vëzhgimet e tyre shpesh mbeten pa efekt real:
“Më japin përshtypjen se duken të konsumuar, veçanërisht në vende si ky i yni. Ne i ftojmë, por nuk i dëgjojmë. Punojmë pak për të zbatuar rekomandimet e tyre. Kjo më duket si një punë në boshllëk.”
Ai solli si shembull ngjashmëritë mes raportit aktual dhe atij të vitit 2021, duke nënvizuar mungesën e progresit:
“Shikoni situatën ku jemi sot dhe krahasojeni me atë pas zgjedhjeve të 2021-it. Jemi po aty. Ata thanë të njëjtat gjëra.”
Kume la të kuptohet se nëse nuk zbatojmë sugjerimet e dhëna, vëzhgimet ndërkombëtare mbeten thjesht formalitete pa ndikim në përmirësimin e proceseve zgjedhore.