EKSKLUZIVE/ “Kategoria e Parë do të jetë gjysmë Superiore”, rrëfehet Pinari: Ja ku gaboi Dinamo

Humbja në Kukës zyrtarizoi rënien e Dinamos, që tani duhet të nisë punën nga e para për rikthimin në Superiore. Nga grupi aktual, siç është thënë shpesh kohët e fundit, do të ketë shumë lëvizje, ndërkohë që mbetet të shihet se çfarë elementësh do të afrohen për skuadrën e re.

PINARI

Rënia e Dinamos, edhe pse ky klub ka financa të shëndosha, ka ngritur shumë pikëpyetje në opinionin sportiv, jo vetëm në radhët e tifozëve blu. Për ish-kapitenin e Dinamos, Luan Pinari, dorëzimi i kësaj skuadre në javët e fundit erdhi për faktin se ajo nuk ishte gati të përballonte Superioren. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi flet edhe për të ardhmen e skuadrës kryeqytetase.

RËNIA – “Ishte e pritshme rënia, duke parë si shkuan gjërat. Mendimi im është se Dinamoja nuk ishte gati për të përballuar kampionatin e Superiores. U kuptua qartë se kjo skuadër nuk kishte atë boshtin e nevojshëm për të marrë rezultatet e duhura të paktën për të mos rënë nga kategoria.

U afruan shumë futbollistë, por e ritheksoj, mungoi boshti i skuadrës. Javët e fundit Dinamo humbi disa shanse për të rikuperuar pikë në garën e mbijetesës, nuk shfrytëzoi asnjë nga ndeshjet që kishte në dispozicion. Kjo tregon se nuk kishte forcën e duhur si skuadër. Shpresoj dhe uroj që klubi të reflektojë dhe ta ketë kuptuar drejt se çfarë nuk ka bërë mirë gjatë këtij sezoni. Nëse e kuptojnë mirë situatën, atëherë mund të reagojnë”, u shpreh fillimisht Pinari për gazetën.

KATEGORIA E PARË – Më tej, i pyetur se sa shanse ka Dinamo për rikthimin e shpejtë në Superiore në një Kategori të Parë shumë të vështirë, ish-kapiteni shprehet: “Shanset i ka, por duhet organizimi i duhur. E di që Kategoria e Parë sezonin e ri do të jetë e vështirë, por Dinamos kështu i duhet të jetë. Duhet që të përballojë vështirësitë me një ekip të fortë, që të jetë gati pastaj edhe për elitën pa bërë shumë ndërhyrje.

Kategoria e Parë tashmë është një gjysmë Superiore. Dinamos i duhet të ketë disa lojtarë me përvojë nga grupi aktual, ndoshta 3-4 lojtarë, por duhet që të bien dakord palët, jo t’i mbajnë me zor këta lojtarë, meqenëse mund të jenë nën kontratë. Duhet që dikush të sakrifikojë dhe të luajë në Kategorinë e Parë me Dinamon, ndoshta si për të shlyer edhe gabimin e këtij sezoni. Pastaj, me ndonjë përforcim të goditur, besoj se rikthimi arrihet”.

TRAJNERI VANOLI – Në lidhje me çështjen e stafit teknik, me një trajner të huaj në Kategorinë e Parë, Pinari thekson: “Për trajnerin aktual, Vanolin, kam disa pikëpyetje, edhe pse nuk mund të paragjykoj. Në ndonjë ndeshje mendoj se duhej të kishte ndërhyrë më mirë, por ai ka këmbëngulur në filozofinë e tij të lojës. Ndoshta duke e ndërtuar vetë ekipin e sezonit të ri do të ketë mundësi të aplikojë edhe futbollin që dëshiron. Mund të zbatojë më mirë atë filozofi që kërkon, me kontroll topi”.

Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×