Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, duke shprehur mirënjohje për rreth 8 mijë qytetarë që, sipas tij, i qëndruan besnikë kauzave të votës së lirë, përballë presioneve të ashpra dhe një makinerie shtetërore që ai e cilëson kriminale.
“Për mua ata nuk janë votues, por heronj dhe do të gëzojnë përjetë mirënjohjen time të pakufijshme,” shkruan Meta në një postim në rrjetet sociale, duke theksuar se zgjedhjet u zhvilluan në kushte të pabarabarta dhe me shkelje të rënda të demokracisë.
Meta ka hedhur poshtë zërat që sugjerojnë mundësinë që ai të marrë mandat përmes dorëheqjes së kandidatëve të tjerë të Partisë së Lirisë në listën e Qarkut Tiranë. Ai thekson se nuk do të pranojë asnjë mandat që nuk është rezultat i vullnetit të drejtpërdrejtë të qytetarëve.
“Që nga viti 2008 kam luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve. Nuk do të pranoj asnjë marifet që bie ndesh me parimet për të cilat kam luftuar dhe do të luftoj gjithmonë,” thekson Meta.
Në fund të deklaratës, Meta ka falënderuar Tedi Blushin dhe gjithë ekipin e Partisë së Lirisë për angazhimin në këtë që ai e quan një fushatë të pabarabartë, si dhe komisionerët dhe numëruesit që, sipas tij, po mbrojnë çdo votë me përkushtim e përgjegjësi të lartë.
Postimi i plotë:
Së pari falenderoj rreth 8 mijë zgjedhës që votuan për Ilir Metaj, të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në themel të tij.
Për mua ata nuk janë votues por heronj dhe do të gëzojnë përjetë të gjithë mirënjohjen time të pakufijshme.
Disa zëra dashamirës, por edhe të tjerë djallëzorë, sugjerojnë si mënyrë për marrjen e mandatit tim parlamentar, dorëheqjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë.
Dua t’i siguroj të gjithë se Ilir Metaj që nga viti 2008, që kur u bënë ndryshimet e mbrapshta kushtetuese, ka luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve, në mënyrë të vazhdueshme dhe parimore, sepse kjo është çështje e bindjes dhe karakterit tim dhe si pasojë nuk mund të pranoj asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste që shkon në kundërshtim me kauzat madhore për cilat unë kam luftuar dhe do luftoj gjithmonë.
Dëshiroj të falenderoj dhe vlerësoj Tedi Blushi , dhe kolegët e tjerë në Partinë e Lirisë të cilët luftuan me përkushtim në këtë fushatë të pabarabartë përballë Narkoshtetit dhe makinerisë së tij zgjedhore kriminale, pabesive dhe thikave pas shpine.
Një falenderim të veçantë edhe për të gjithë ata komisionerë, numërues dhe vëzhgues, të cilët po vazhdojnë me këmbëngulje dhe përgjegjësi të lartë të numërojnë dhe të mbrojnë çdo votë deri në votën e fundit.