Kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali, ka reaguar në lidhje me fillimin e Pontifikatit të Shenjtërisë së Tij, Papa Leone XIV. Në një mesazh të saj, Spiropali ka uruar Papën e ri dhe ka ndarë reflektime mbi simbolikën e rolit të tij si “Pontifex”, që në latinisht do të thotë “ndërtues urash”.
“Ura dashurie, ura vëllazërie, ura dialogu – urojmë të jenë bekimet e fillimit dhe vazhdimit të Pontifikatit të Tij në këtë kohë plot trazira, pasiguri, vuajtje e konflikte,” – shkruan Spiropali, duke theksuar rëndësinë e fjalës dhe mesazhit të Papës për paqe e mirëkuptim.
Duke cituar Ungjillin e Gjonit, ajo vuri në dukje fuqinë e fjalës për të ndriçuar udhën drejt së mirës dhe uroi që të gjithë njerëzit vullnetmirë të kenë hirin e Hyjit dhe të jenë të hapur për mesazhet plot shpresë që Papa Leone XIV do të sjellë gjatë misionit të tij shpirtëror.
Reagimi i kryetares së parlamentit, Elisa Spiropali:
Në profilin e Tij në rrjete sociale, Ati i Shenjtë ka të shkruar fjalën latine “Pontifex” që është emërtesa e Papës që prej fillimit të Mesjetës e do të thotë “Ai që ndërton ura”!
Ura dashurie, ura vëllazërie, ura dialogu urojmë të jenë bekimet e fillimit e vazhdimit të Pontifikatit të Shenjtërisë së Tij Leone XIV, në këtë kohë plot trazira, pasiguri, vuajtje, rreziqe e konflikte.
Fjalët e Tij sot tingëllonin aq të vërteta dhe ftuese për hapjen e mendjeve të atyre që kanë mbi supe përgjegjësinë e fatit të popujve. Fjala e vërtetë është zanafilla e çdo hapi drejt së mirës.
Ungjilli i Gjonit na sjell në vëmendje se: “Fjala u bë njeri e banoi ndër ne… e … prej plotësisë së Tij të gjithë morëm hire e mbi hire”!
Paçin hirin e Hyjit të gjithë njerëzit vullnetmirë e paçim zemra e veshë të hapur të gjithë për të pritur mesazhet plot shpresë të Papës!
Bekimet e Hyjit qofshin me Atin e Shenjtë dhe me të gjithë ne, gjatë misionit të Tij hyjnor!”