Çështja e Dritson Kurtit, i arrestuar rreth 9 muaj më parë në qytetin e Korçës, është një precedent jo i lehtë për drejtësinë dhe shoqërinë shqiptare. 21-vjeçari akuzohet për marrëdhënie me të mitur, pikërisht me një 13-vjeçare, të cilën solli në jetë një fëmijë.
Kurti bashkëjetonte prej kohësh me të miturën. Por lindja e fëmijës çoi në arrestimin e tij në shtator të vitit të kaluar. Familjarët e 21 vjeçarit Dritson Kurti shprehen se vajza minorene ka shkuar nuse te shtëpia e tyre me dëshirën e saj dhe konfirmimin e familjarëve, ndërsa i kanë bërë thirrje shpesh që ai të lirohet.
Sot është kërkuar lirimi i tij dhe avokati pas seancës është shprehur:
“Sot seanca në gjykatën e Korçës shkoi shumë mirë. Deri në këtë moment proçedurial që ne jemi, u kërkua një seancë më parë, rikualifikimi i akuzës neni 100/2 i kodit penal dhe gjykata ishte tërhequr për të marrë vendim. Pranonte rikualifikimin e akuzës. Tashmë në seancën e sotme, në gjykimin paraprak, gjykata e pranoi siç e kërkoi prokuroria nga neni 100/2 në nenin 100/1. U kërkua nga ana jonë pjesa e gjykimit të shkurtuar çka u pranua nga gjykata. Është bërë një punë kolosale për të krijuar bindjen dhe për t[i kërkuar organit të akuzës, rikualifikimin e akuzës. Në seancën e radhës do dëgjojmë konkluzionet e organit të akuzës. Vajza e mitur, viktima e këtij procesi ka folur duke kërkuar me insistim që bashkëshorti i saj të kthehej në shtëpi dhe të siguronte jetesën. I bëj thirrje të gjitha institucioneve, të marrin një vendim sa më të drejtë duke patur parasysh se ka një konventë speciale për komunitetin rom dhe të shikohet me tepër rigorozitet konventa europiane për romët.
Nëse do të ishim te kualifikimi i parë që bëri prokuroria, Dritson Kurti rrezikonte deri në 25 vite burg. Në këtë moment proçedurial, kemi të bëjmë me një kërkesë për dënim nga 7-15 vite. Besoj se gjykata do marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe duhet theksuar që është një fakt shumë i rëndësishëm që viktima nuk ka bërë denoncim për këtë person. Tjetër fakt është që në procesin e sotëm, ajo foli çfarë i kërkonte shpirti i saj. Ky është një alarm i madh në rast se ky person do të jetë akoma në këto kushte, do të thotë që shumë anëtarë të komunitetit rom, janë martuar të vegjël dhe sot policia e shtetit të bëjë një plan masash e të arrestojë një pjesë të konsiderueshme të këtij komuniteti. Gjykimi i shkurtuar është kërkuar nga ana jonë për ekonomi gjyqësore dhe deri në fund ne do të këmbëngulim për pafajësi. I bëjmë apel të gjitha institucioneve që të reagojnë për këtë çështje, dhe në veçanti gjykatës, prokurorisë, të shikojne vendimmarrjen me tepër rigorozitet dhe mendoj që do të ketë diçka lehtësuese.”
Thirrje tjetër për lirimin e Kurtit bëri edhe vajza e mitur:
“Ma lironi burrin. Mua nuk ka kush të më ushqejë siç e kam thënë gjithmonë. S’kam krah pune. Të vështira shumë këto muaj, gjyshja më shumë borxh ka marrë te dyqani që na mban dhe mua dhe fëmijën tim. Dua vetëm të ma lironi. Është protesta e tretë.”
Ndërsa babai i së miturës shprehet: “Kemi dëshirë të lirohet. Kemi ligjet e vjetra të gjyshërve tanë, traditat tona të vjetra, sipas tyre kemi ecur dhe ne. Shteti e ka në dorë ta lirojë një orë e më parë. Edhe ne nuk kemi mundësi ta ndihmojmë. Punojmë me hekurishte e me mbeturina, po i rrisim fëmijët. Duam të lirohet, të krijojë familjen e vet me fëmijët e vet.”
()