Kreu i PD Sali Berisha u pyet nga gazetarët në lidhje me faktin se disa drejtues politikë të Partisë Demokratike në qarqe nuk kanë bërë fushatë, por kanë pirë kafe pranë selisë blu.
Berisha tha se PD do të analizojë gabimet dhe defektet e brendshme, por theksoi se farsa e zgjedhjeve nuk mund të fitohej nga opozita, pavarësisht përpjekjeve.
Ai akuzoi qeverinë për manipulime dhe përdorim të burimeve shtetërore për të ndikuar rezultatin, duke përmendur faljen e gjobave, shpërndarjen e parave për pensionistët dhe kultivimin masiv të kanabisit.
Sali Berisha: PD pas luftës për paraqitjen ndërkombëtare të kësaj farse, padiskutim që do të bëjë tën gjithë diskutimet e brendshme për të gjitha problematikat, defektet, të metat dhe gabimet. Por farsa nuk fitohet nga opozita, çfarëdo që të bëhet. Opozita nuk e ndalon dot qeverinë që të falë 200 mln euro gjoba, opozita nuk e ndalon dot qeverinë që të bëjë dhuratë 100 euro për 760 mijë pensionistë. Opozita nuk mund ta ndalojë qeverinë që të shpërndajë miliona rrënjë kanabisi që t’i mbjellë, 1 rrënjë kanabis vlerësohet 1 mijë euro, imagjino kur hapet zota e plantacionit i merr fshatarët dhe u thotë këto janë bimët tuaja dhe i ke të garantuara nga shteti. çfarëdo që të bëjë opozita, opozita nuk mund të arrestojë as Elvis Doçin, as Suel Çelën. Opozita i ka denoncuar me zë dhe figurë.